Gjirokastër, banorët bllokojnë punimet në superstradën Kardhiq- Delvinë
Banorët e fshatit Kodër të Komunës Cepo në Gjirokastër, kanë bllokuar punimet e ndërtimit të superstradës Kardhiq- Delvinë, e cila do ta afrojë Gjirokastrën me bregdetin për 30 km. Shkak i bllokimit të njëanshëm të punimeve ka qenë në radhë të parë privimi i tyre me ujë të pijshëm për gati shtatë muaj, si pasojë e dëmtimit të tubacionit përcjellës nga ana e firmës së ndërtimit të superstradës.
Banorët e irrituar kanë kërkuar edhe dëmshpërblim për tokën bujqësore dhe dëmet në banesa, si dhe rindërtimin e rrugës lidhëse të fshatit me aksin Gjirokastër- Tepelenë. Shpronësimet e bëra në tokat bujqësore, duket se nuk janë vlerësuar nga banorët e fshatit, të cilët nuk kanë ngurruar ta etiketojnë këtë proces si të padrejtë. Për fshatarët, një shqetësim i madh është edhe dëmtimi i banesave të tyre gjatë muajve të fundit si rrjedhojë e shpërthimeve me dinamit për zgjerimin e rrugës. E vetmja rrugë për të zgjidhur kërkesat e tyre është protesta, pasi sipas tyre, kjo është e vetmja mënyrë në kushtet e indiferencës së treguar për plotësimin e tyre nga ana e drejtuesve të firmës ndërtuese. Tubimi ka nisur rreth orës 09:00 të paradites së djeshme dhe ka zgjatur përreth 3 orë. Rrugën që është dëmtuar kaq keq kërkojmë të parën, por jemi edhe pa ujë prej disa muajsh. Asnjë nuk është kujtuar të vërë dorë dhe tani ne jemi të vendosur si komunitet që ta vazhdojmë protestën tonë, janë shprehur njëzëri banorët e irrituar, duke shtuar se prej muajsh të gjitha kërkesat nuk janë marrë parasysh. Poshtë fshatit Kodër, aty ku punohet për ndërtimin e superstradës Kardhiq- Delvinë kanë qenë një pjesë e konsiderueshme e banorëve, të cilët kanë pohuar njëzëri kërkesat e tyre. Ndërsa kryeplaku i fshatit Kodër, Bedo Novi ka deklaruar se janë në pritje të specialistëve nga Ministria e Punëve Publike, që do të merren me shqyrtimin e problemit të tyre. "Qëllimi ynë nuk është të bllokojmë ecurinë e punimeve, por vetëm të na zgjidhen këto probleme kaq emergjente", ka theksuar më tej Novi. Banorët e fshatit Kodër kanë protestuar edhe dy herë të tjera për këtë çështje, por sot ka qenë hera e parë që janë bllokuar punimet. Faza e parë e ndërtimit të superstradës nisi në 24 dhjetor të vitit 2007, ku kryeministri Berisha përuroi fillimin e tyre. Punimet e kësaj faze mendohet të përfundojnë në muajin prill të këtij viti dhe vlera e tyre financiare përllogaritet në 527 milionë lekë. Punimet janë marrë përsipër nga 3 firma, Kisberg, Albshpresa dhe Cobial.
Email This Klikime: 4
Email This Klikime: 4