E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, banorët e pallatit të shembur vazhdojnë grevën

GJIROKASTËR- Dita e dytë e grevës së urisë i ka gjetur 10 banorët në gjendje shëndetësore aspak të mirë. Nëpërmjet një peticioni greva dhe kërkesa e tyre e vetme u është bërë publike autoriteteve më të larta drejtuese në vend. Ndërkohë që të djathtët në Gjirokastër i kanë siguruar banorët se dhënia e dëmshpërblimit është thjesht çështje ditësh. Ambulanca dhe stafi mjekësor i spitalit rajonal “Omer Nishani” ka qenë vazhdimisht në vendin ku po zhvillohet greva, ndërsa mjekët deklarojnë se gjendja e tyre është kritike. Shqetësimet e banorëve janë jo vetëm nga mungesa e ushqimit, por edhe nga ambienti tepër i ftohtë e me lagështirë ku po qëndrojnë. Gjithashtu, fakti që një pjesë e banorëve janë rreth të 60-ave e vështirëson edhe më tej qëndrimin e tyre, pasi 3 banorë kanë shfaqur probleme me zemrën. Por, megjithë gjendjen e rënduar, asnjë prej grevistëve nuk ka pranuar të shkojë në spital apo të lërë grevën. Një peticion ka qenë mënyra që të ngujuarit në grevë urie kanë zgjedhur për të vënë në dijeni autoritetet më të larta të vendit. “Vlerësojmë faktin që në ditën e katastrofës ju na u gjendet pranë dhe na premtuat se do të merrni masa për të na e lehtësuar dhembjen. Tani konstatojmë me indinjatë se punët nuk po ecin mbarë, përkundrazi, ne po shkojmë drejt depersonalizimit, pasi jemi pa shtëpi dhe në gjendje të mjerueshme. Duke mos parë asnjë veprim konkret për dëmshpërblimin tonë, qysh prej datës 15 dhjetor kemi hyrë në grevë urie dhe nuk do të dalim deri në zhdëmtimin tonë të plotë, jo sipas parazitizmit socialist, por në bazë të ambienteve dhe objekteve që kishte çdo familje”,- thuhet në këtë peticion, drejtuar presidentit Bamir Topi, kryeministrit Sali Berisha dhe deputetit Genc Ruli. Ndërsa u kanë shprehur mbështetje, drejtues të degës lokale të Partisë Demokratike i kanë siguruar grevistët e urisë se shumë shpejt kërkesa e tyre për dëmshpërblim do të plotësohet. Po kështu, ata iu kanë sugjeruar të hapin padi civile ndaj bashkisë së qytetit dhe drejtuesve të firmës ndërtuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›