E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau gruan, dënohet me 20 vjet burg

SHKODËR - Është dënuar me 20 vjet burgimNik Prozhmi, i cili më 16 prill 2008 ekzekutoi me mjete të forta bashkëshorten e tij Terezina Prozhmi. Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër dha të martën dënimin prej 20 vitesh për bashkëshortin vrarës, i cili u deklarua fajtor për “vrasje në rrethana cilësuese”. Akuza kishte kërkuar 25 vjet për Nikë Prozhmin, i cili që nga fillimi i procesit gjyqësor nuk pranoi avokat, por u mbrojt vetë. Ai pretendoi se bashkëshorten e vrau në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi ajo ishte agresive. Sipas tij, ajo ishte çuar në mesnatë dhe pasi kishte dalë në oborr kishte filluar të godiste me sqepar dyert e shtëpisë. Ai e kishte ndjekur pas dhe ishte përpjekur t’i merrte sopatën nga dora, duke çuar në përleshje nga ku aksidentalisht e kishte goditur të shoqen në kokë duke i shkaktuar vdekjen. Por provat e paraqitura nga prokuroria tregonin të kundërtën. Sipas organit të akuzës, rreth orës 02:00 të 16 prillit, Nik Prozhmi ka kyçur derën ku flinin tre fëmijët e tyre, dy djem dhe një vajzë, përkatësisht 17, 7 dhe 13 vjeç , të cilët nuk kanë dëgjuar asnjë zhurmë dhe e ka dërguar bashkëshorten tek vendi ku punonte, dhe aty e ka goditur me sqepar disa herë duke i shkaktuar vdekjen. Menjëherë pas krimit ka shkuar tek kushëriri i tij që banonte aty pranë dhe i ka treguar për ngjarjen. Policia bëri ndalimin e Nik Prozhmit në shtëpinë e kushëririt, fqinjë i tij. Gjatë seancave gjyqësore, Nik Prozhmi nuk ka shfaqur pendim, por ka kërkuar vetëm drejtësi dhe disa herë seancat janë shtyrë pasi ai ndodhej në gjendje fizike të përkeqësuar pasi refuzonte ushqimin. Nik Prozhmi së bashku me familjen e tij është nga fshati Kir i komunës Pult të Dukagjinit dhe prej disa vitesh jetonte në Shkodër në lagjen “Partizani”, pas drejtorisë së policisë së qarkut Shkodër. Sipas policisë, kjo familje ka pasur dhe herë të tjera probleme dhe dy bashkëshortët si pasojë e konflikteve dhe grindjeve të vazhdueshme janë shoqëruar disa herë në polici.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›