E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, hidhet në erë qendra shëndetësore

SHPËRTHIMI/ Në godinën e cila do të përurohej vetëm pas dy javësh është vënë një sasi e konsiderueshme eksplozivi

LEZHË - Hidhet në erë dy javë para përurimit qendra shëndetësore e fshatit Kotërr në komunën e Dajçit në Lezhë. Persona ende të paidentifikuar kanë vendosur një sasi të konsiderueshme lënde eksplozive brenda godinës. Ngjarja ka ndodhur pak pas mesnate, ndërsa duket që autorët kanë përfituar edhe nga fakti që godina nuk ruhej me roje, kjo edhe për faktin se ajo nuk ishte përfunduar plotësisht. Dëmet nga shpërthimi i lëndës plasëse janë të konsiderueshme, ndërsa mund të vihet në rrezik funksionimi i saj për shkak të çarjeve që janë shkaktuar nga ky shpërthim.

Ngjarja

Burime policore bëjnë të ditur se autorët e kësaj ngjarjeje kanë hyrë brenda godinës së qendrës shëndetësore, duke e thyer atë dhe kanë vendosur lëndën plasëse në dy vende të ndryshme. Njëra sasi e eksplozivit është vendosur në qendër të njërës prej dhomave, ndërsa sasia tjetër ka qënë vendosur në tualetin e kësaj godine. Shpërthimi ka qenë i fuqishëm duke shkatërruar të gjitha materialet që ndodheshin brenda saj, ndërsa muret e godinës kanë pësuar çarje të forta në të gjitha dhomat. Godina ku është vendosur lënda plasëse është një ndërtim tërësisht i ri dhe është realizuar nga komuna Dajç nëpërmjet një fondi të akorduar nga Ministria e Shëndetësisë me një vlerë prej 1,7 milionë lekësh të reja.

Hetimet

Asnjë person nuk është shoqëruar si i dyshuar për këtë vepër penale, ndërsa hetimet vazhdojnë në disa pista të ndryshme. Motivi i hedhjes në erë të ambulancës, e cila pritej t’i shërbente një komuniteti prej 1 500 banorësh mbetet një mister. Kryetari i komunës Dajç, Rrok Lini, duke dënuar ashpër këtë akt kriminal, ka hedhur poshtë motivin e pronësisë mbi tokën, pasi vendi i zgjedhur nga ana e komunës për ndërtimin e kësaj ambulance është truall nën administrimin e kësaj komune, dhe për këtë disponohen dokumente të plota. Ai i ka kërkuar organeve të policisë dhe hetuesisë që gjejnë dhe të vënë para drejtësisë autorin apo autorët që kryen këtë vepër penale në dëm të një komuniteti të gjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›