“Tetori Gjerman” nis në periferi të Tiranës
TIRANE- Tetori-Gjerman , ose Javët e Kulturës Gjermane në Shqipëri 2008, nisën mbrëmë në Teatrin veror “Kame”, në periferi të Tiranës, me mbrëmjen poetiko-muzikore, kushtuar poetit të shquar gjerman Gottfried Benn. Aktorët Valbona Imami dhe Dritan Boriçi, si dhe pianistja Nora Çashku ishin protagonistë të saj, teksa studiuesi Ardian Klosi dha një portret të poetit të madh gjerman, përmes teksteve të ndryshme dhe imazheve të kohës të mishëruara në një film të shkurtër. Në këtë mbrëmje të pranishëm ishin dhe artistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Gottfried Benn lindi në Mansfeld të Brandenburgut më 1886 dhe ndërroi jetë më 1956 në Berlin. Ai studioi mjekësi dhe që herët filloi të shkruajë tekste letrare. Botimi i parë i tij ishtë përmbledhja me poezi ekspresioniste “Morgu”, në vitin 1912. Emri i tij u bë i njohur me botimet e novelave, esseve dhe vëllimeve të tjera poetike. Mbrëmja poetike u organizua në kuadër të “Tetori Gjerman 2008”, një projekt me një axhendë të pasur veprimtarish që do të organizohen deri më 2 nëntor në kuadër të 20 vjetorit të bashkëpunimit për zhvillim Shqipëri-Gjermani. Ishte 21 tetor i vitit 1988 kur Republika Federale e Gjermanisë dhe Shqipëria firmosën një marrëveshje bashkëpunimi teknik. Në atë kohë projektet fillestare ishin modeste mes dy vendeve por gjatë dy dekadave bashkëpunimi për zhvillimi mes dy vendeve është rritur e forcuar progresivisht.
(s.g/BalkanWeb)