Shtyu kunatën në vetëvrasje, arrestohet 49-vjeçari
Shtyu kunatën në vetëvrasje, arrestohet 49-vjeçari. Vetëvrasja ka ndodhur të dielën në fshatin Çermë Sektor të Lushnjës, ndërsa policia arrestoi dje një person me akuzën e "shkaktimit të vetëvrasjes". Nga burimet zyrtare policore mësohet se Ilmi Isaku ka fyer dhe dhunuar fizikisht kunatën, 34-vjeçaren Miranda Isaku, e cila më pas është vetëhelmuar. Mjekët e spitalit të Lushnjës thanë se gruaja 34 vjeçe kishte konsumuar një sasi medikamentesh të ndryshme, si dhe një sasi helmi ende të papërcaktuar nga grupi i hetimit. Ajo ka shkuar thuajse pa shenja jete në spital dhe ka ndërruar jetë vetëm brenda pak minutash. Policia ka nisur menjëherë hetimin për rrethanat e ngjarjes, si dhe motivin. Nga marrja në pyetje e familjarëve ka arritur në konkluzionin se viktima kishte pasur një debat të ashpër në familje me kunatin e saj, Ilmi Isaku. Mësohet se vjehrri i viktimës e ka kapur atë me të dashurin në banesë dhe ka njoftuar për këtë djemtë. Ilmiu ka deponuar në polici se nusja e vëllait kishte tradhtuar të vëllain dhe i kishte turpëruar në fshat, atë dhe familjen e tyre. Mësohet se Ilmiu e ka sharë e ofenduar nusen e vëllait dhe më pas i ka bërë të qartë se ajo nuk kishte më vend në familje. Më pas, ai ka ushtruar dhunë fizike mbi kunatën. Pak orë pas debatit, 34-vjeçarja u gjet e vetëhelmuar dhe pa asnjë shpresë për të mbijetuar. Në këto kushte, policia ka bërë arrestimin e 49-vjeçarit nën akuzën e "shkaktimit të vetëvrasjes".