Hetohen punonjësit e KESH, gjobitën qytetarin
Durrës- Dy punonjës të KESH-it në Durrës janë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, pas denoncim të bërë nga një qytetar i këtij qyteti. Ata e kanë “gjobitur” qytetarin me 2000 kilovat energji elektrike.
Flamur Bakaj, 52-vjeç dhe Arben Manga 47- vjeç po ndiqen në gjendje të lirë nga seksioni Kundër Korrupsion në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës.
Sipas policisë procedimi ndaj tyre nisi bazuar në kallëzimin penal të bërë nga një 40-vjecar, banor i lagjes Nr. 13 Durrës. Qytetari pretendon se dy shtetasit në fjalë në mënyrë arbitrare, i kanë marrë matësin elektrik të banesës dhe e kanë dërguar në Labaratorin e Njësisë Elektrike Durrës. Pas këtij veprimi punonjësit e KESH-it e kanë penalizuar qytetarin me 2000 kilovat energji elektrike, pa e njoftuar per arsyet e penalizimit. Madje ata nuk kanë plotësuar asnjë dokument ku mund të pasqyronin veprimin e kryer ndaj abonentit të tyre.
Policia ka njoftuar se pas marrjes së kallëzimit u kryen veprimet e para hetimore dhe materialet per vepren penale te shperdorimit të detyres iu kaluan për hetim të mëtejshëm Prokurorise së Rrethit Gjyqësor Durrës.