E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat, PS: Kallëzim penal për Ministrinë e Brendshme

 

Aristir Lumezi

Kallëzim penal ndaj drejtuesve të Ministrisë së Mbrojtjes për manipulim me listat e shtetasve. Partia Socialiste ka bërë të ditur se do të kallëzojë penalisht drejtuesit e Ministrisë së Brendshme për procesin e kartave të identitetit. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami tha dje gjatë një konference për shtyp në selinë rozë se Partia Socialiste po përpilon akuzën për personat që merren direkt me procesin e kartave në Ministrinë e Brendshme. Islami thekson se ky vendim vjen menjëherë pas përgjigjes së Ministrisë, pas kërkesave të PS për informacione të detajuara në lidhje me ecurinë e procesit të pajisjes së qytetarëve me karta identiteti. Ndërkaq mësohet se socialistët pritet të vendosin në lidhje me qëndrimin e tyre për situatën e krijuar me kartat e identitetit. Burime pranë PS-së bëjnë të ditur se socialistët do kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit Berisha si përgjegjës për dështimin e procesit të pajisjes së shtetasve me karta identiteti dhe pamundësinë e tyre për të marrë pjesë në votime. Vendimi pritet të merret këto dy ditë, ndërsa ende nuk bëhen publike propozimet për daljen nga kjo situatë. Sekretari socialist Islami tha dje se ministria u ka dorëzuar 4 disqe me informacione të manipuluara dhe të rreme.
Islami bën të ditur se informacionet bien ndesh me njëra-tjetrën, ndërkohë që thekson se qeveria po bën përpjekje për të fshehur listën e saktë të personave pa pasaportë. “Mjaftojnë kundërshtitë dhe faktet e nxjerra nga analiza e vetë informacionit që kemi marrë nga Ministria e Brendshme, për të ngritur hipotezën e akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të të dhënave zyrtare përmes dhënies së informacionit të rremë për qëllime që bien ndesh me ligjin. Informacionet e MB, duke rënë ndesh me njëra-tjetrën në mënyrë flagrante dhe duke u shfaqur të ndryshme nga njëri disk te tjetri, rezultojnë jo vetëm të rremë, po edhe të manipuluara” theksoi Islami. Partia Socialiste, përmes sekretarit të saj, deklaroi se sot do të bëjë publike kundërshtimet e informacioneve të dërguara, duke ia komunikuar edhe komunitetit ndërkombëtar. Sipas Islamit, shifra zyrtare prej 730 mijë votuesish pa pasaportë, mbi të cilën Ministria e Brendshme ka këmbëngulur, rezulton e pavërtetë dhe e zvogëluar ndjeshëm.
“Në këto kushte kur, nga njëra anë na jepet vetëm një pjesë e të dhënave të cilat rezultojnë alarmante, të rreme e të manipuluara,  dhe nga ana tjetër na fshihet me këmbëngulje lista e qytetarëve me pasaportë, si edhe lista e plotë e aplikantëve të deritanishëm për letërnjoftim, PSSH po përpilon kallëzimin penal për drejtuesit e lartë të Ministrisë së Brendshme që merren direkt me këtë proces. Të gjitha këto konkluzione paraprake, janë rezultat i një ekspertize të nivelit më të lartë teknik dhe do të thellohen në orët në vazhdim nga grupi ynë i ekspertëve”, tha Islami. Socialistët i kanë dërguar ministrit Nishani dy kërkesa ku kërkohen të dhënat për procesin e kartave. Letra e parë daton më 26 maj dhe në të kërkohen: “Brenda datës 30 maj të na vini në dispozicion: Listën e votuesve me pasaportë, listën e votuesve pa pasaportë që kanë aplikuar dhe listën e votuesve pa pasaportë që kanë marrë në dorë letërnjoftimin” shkruhet në letrën e PS.
Ministria e Brendshme reagoi pas kësaj kërkese, duke u shprehur se ka depozituar pranë komisionit ‘ad hoc’ të gjitha listat që i janë kërkuar prej tij. Socialistët i janë drejtuar me letra në të njëjtën kohë edhe prezencës së OSBE, ambasadorit Robert Bosch, Ambasador dhe Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve në Shqipëri, ambasadores ODIHR, Audrey Glover.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›