E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër dhe Sarandë, 100 vatra zjarri për 1 muaj

24/08/2011  Dëmet të pallogaritshme, 13 zjarre të qëllimshëm

Muaji gusht ka sjellë numrin më të lartë të zjarreve, të regjistruara gjatë 10 viteve të fundit. Informacionet e marra pranë zyrës së emergjencave civile në Këshillin e Qarkut Gjirokastër bëjnë të ditur se gjatë tri javëve të para të këtij muaji janë shënuar 24 vatra zjarresh, numër që për specialistët konsiderohet mjaft i lartë. “Vatrat më të mëdha janë evidentuar në fshatrat Glinë e Peshkëpi, si dhe në parkun e Viroit”, shprehet Jorgo Nikolla, shef i zyrës së emergjencave civile.

Sipas tij, zjarret kanë rënë prej pakujdesisë, kryesisht nga hedhjet e bishtave të cigareve, zjarre të dala jashtë kontrollit gjatë djegies së mbulesave vegjetative rrotull objekteve, si dhe të qëllimshme për rigjenerimin e kullotave. “Në këto 22 ditë të muajit gusht janë evidentuar 24 vatra zjarri vetëm në Gjirokastër, rast i pashembullt në dhjetë vitet e fundit. Është vënë re se shtabet e emergjencave civile në disa komuna nuk kanë qenë në lartësinë e duhur, ndërsa ka pasur pjesëmarrje të ulët të komunitetit në fikjen e zjarreve”, specifikon Nikolla, ndërsa nënvizon se kushtet për rënien e zjarreve janë akoma evidente, ndaj kërkohet kujdes i jashtëzakonshëm edhe në këto ditë të fundit të muajit gusht. Në qarkun e Gjirokastrës gjatë sezonit veror janë evidentuar 45-të raste zjarri, prej të cilëve 13 janë aksidentalë, 19 nga pakujdesia dhe 13 kanë rezultuar të jenë zjarre të qëllimshme. Deri tani janë ndaluar 11 persona si zjarrvënës, ndërsa 19 persona të tjerë ndiqen penalisht në gjendje të lirë. Ndërkohë tre vatra zjarri janë regjistruar gjatë 24 orët e fundit në rajonin e Sarandës dhe Delvinës, ndërsa mësohet që bilanci i zjarreve dhe i dëmeve të shkaktuar prej tyre këtë verë është i lartë. Rakip Muzhai, shefi i shërbimit zjarrfikës në Sarandë, thotë se vatrat e zjarrit janë shfaqur fshati Jermë (Komuna Livadha), Dermishi (Komuna Dhivër), si dhe Muzinë (Komuna Mesopotam). “Vatrat e reja të zjarrit, regjistruar 24 orët e fundit në rajonin e Sarandës dhe Delvinës, e çojnë në 65 numrin e zjarreve të rëna këtë verë, ndërkohë që edhe dëmet e shkaktuara janë të konsiderueshme”, shprehet Muzhai. Sipas tij, pavarësisht ndërhyrjes për fikjen e zjarreve të ndezura në këto vatra, ku janë djegur mbi 50 hektarë kullotë, pemë frutor, si dhe dy banesa të braktisura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›