E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhelozia, 6 thika ish-bashkëshortes në sy të fëmijëve

POGRADEC/ Artur Piperi akuzohet për "vrasje me dashje të mbetur në tentativë" dhe është shpallur në kërkim


POGRADEC - Prej disa javësh ishte ndarë nga bashkëshortja e tij e megjithatë kjo ka qenë thjesht një kohë për të mbledhur zemërimin dhe për të tentuar vrasjen e saj.


Burimet e policisë bëjnë të ditur se Artur Piperi, 36 vjeç, ka qëlluar me thikë gjashtë herë ish-gruan, nënë e tre fëmijëve, ndërsa kjo e fundit është dërguar në urgjencë e më pas në Spitalin Ushtarak në Tiranë për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën ndodhej. Mësohet se gjithçka ka ndodhur në shtëpinë e së plagosurës, e cila ndodhej bashkë me fëmijët.


Ngjarja


Vetëm një javë kishte kaluar që Artur Piperi dhe bashkëshortja 3 vjet më e re ishin ndarë zyrtarisht njëri nga tjetri.


Mësohet se gjykata kishte vendosur që të tre fëmijët do t'i kalonin në kujdestari nënës dhe pikërisht këta të fundit kanë qenë edhe dëshmitarë të dhunës së ushtruar nga babai i tyre përkundrejt së ëmës. Bëhet e ditur se 36-vjeçari ka shkuar në shtëpinë e ish-gruas dhe atje e ka qëlluar atë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit dhe duke i shkaktuar 6 plagë.


Më pas e ka lënë ashtu dhe është larguar në drejtim të paditur. Njerëz të afërm janë njoftuar dhe gruaja është dërguar menjëherë në spital, prej ku bluzat e bardha kanë vendosur që ajo të transportohet në spitalin ushtarak për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën ndodhej.


Hetimi


Sipas policisë, por edhe të njohurve të çiftit, dy bashkëshortët kishin rreth 6 javë që jetonin të ndarë dhe vetëm prej një jave ishte dhënë vendimi zyrtar për divorcin e tyre. Mësohet se shkak për ndarjen e çiftit Piperi kishte qenë xhelozia që shfaqte kryefamiljari 36-vjeçar dhe që ishte bërë problematik për bashkëshorten e si rrjedhojë dhe për fëmijët.


Ka qenë pikërisht xhelozia që e ka riçuar burrin në shtëpinë e ish-gruas tashmë dhe që pas debatit me të e ka goditur 6 herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit duke e braktisur më pas në gjendje të rëndë.


Ndërkohë, burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se Artur Piperi ishte i njohur për ta, pasi ishte një person me precendentë penalë dhe ishte i dënuar më parë për vjedhje. Ai është shpallur në kërkim, ndërsa akuza e ngritur ndaj tij është "vrasje me dashje e mbetur në tentativë". Banorë të lagjes nr.4 shprehen nën zë se ai ishte i njohur si një person problematik për shkak të vjedhjeve.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›