Gjirokastër, falsifikoi dokumentet, prangoset 29 vjeçari
Një 29 vjeçar vihet në pranga për falsifikim dokumentesh. Në orët e mbasdites së djeshme, Policia e Gjirokastrës ka bërë ndalimin e shtetasit Anesti Kola, nga Roskoveci i Fierit. Ndalimi i tij është kryer pasi rezultonte person i shpallur në kërkim ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër. Gjykata e Apelit Gjirokastër në 26 shkurt të këtij viti e ka dënuar Kolën me katër muaj burg dhe 400.000 lekë gjobë për veprën penale të falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave e vizave.
Dënimi i tij ka ardhur pasi Kola është kapur në Pikën e Kalimit të Kontrollit Kufitar të Kakavijës me një pasaportë të falsifikuar bullgare. Në këtë pasaportë, Kola kishte mundur të falsifikonte kombësinë nga shqiptare në bullgare dhe kjo me të vetmin qëllim-përfitimin e dokumenteve bullgare. Kapja e këtij shtetasi u krye në banesën e tij në Fier, duke marrë për bazë informacionet e siguruara nga terreni nga ana e specialistëve të Sektorit të Luftës Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër.