Pranga tutorëve të super hajdutit adoleshent
Të ndaluarit, tutorë të adoleshentit Saleo Stojanit, arrestuar për vjedhje në banesa e lokale në qytete të ndryshme
Gjirokastër-Shfrytëzuan për një kohë të gjatë një grup grabitësish endacakë për vjedhje të panumërta, mes të cilëve edhe të ‘famshmin’ Saleo Stojani, por së fundi ranë në prangat e policisë. Lajmi bëhet i ditur nga policia e Gjirokastrës, sipas të cilës në pranga janë vënë drejtuesit e një grupi grabitësish endacakë, që kanë bërë “kërdinë” në banesa dhe objekte të tjera private në jug, apo dhe Shqipërinë e Mesme. “Specialistët e sektorit kundër krimeve të rënda në Drejtorinë Rajonale të Policisë, kanë mundur të identifikojnë dhe kapur shtetasit Hysmet Daja, 43-vjeç dhe bashkëshorten e tij, Rolanda Abazaj, 24-vjeç, të dy nga Laçi”,- thonë burimet, duke shtuar se ata akuzohen si tutorë të grabitësit me famë, Saleo Stojani. Mbi këtë të fundit rëndojnë akuza pa fund për vjedhje, rreth 200, por mendohet se shifra reale është shumë herë më e madhe.
***
Sipas burimeve policore, arrestimi i bashkëshortëve është kryer pas një pune të gjatë operacionale me shtrirjen në të gjitha rrethet e vendit. “Burrë e grua u arritën të kapeshin në orët e para të së shtunës në qytetin e Laçit”,- thanë burimet. Mësohet se uniformat blu të Gjirokastrës, janë vënë në ndjekje të tyre, të cilët kanë qenë edhe tutorët e adoleshentit nga Korça, Saleo Stojani dhe kanë arritur t’i prangosin duke siguruar informacione infiltruese nga të afërmit e tyre në Laç. Ata të dy, së bashku me Saleo Stojanin, nga Korça, së fundi dyshohen se janë autorët e vjedhjes së banesës së shtetasit Islam Buci, në Gjirokastër majin e vitit të kaluar. Dëmi i deklaruar nga i zoti i banesës, është vlerësuar 23 milionë lekë të vjetra, të cilat i mbante në një kasafortë në katin e parë të shtëpisë. Sipas policisë, pasi janë grabitur sasia e të hollave, tre grabitësit janë larguar në drejtim të Tiranës.
***
Bashkëshortët e kanë përdorur adoleshentin Saleo Stojanin për kryerjen e mjaft grabitjeve në banesa të ndryshme duke i dhënë atij të holla minimale. Afro 1 milionë lekë të vjetra, ishte “shpërblimi” për adoleshentin për grabitjen e 23 milionë lekëve të vjetra në banesën e Islam Bucit në Gjirokastër. Grabitësi adoleshent aktualisht ndodhet i arrestuar në burgun 313 Tiranë, për vjedhje të disa banesave dhe disa lokaleve në qytete të ndryshme si Tiranë, Kavajë, duke llogaritur edhe grabitjen e banesës në Gjirokastër. Saleo Stojani sipas policisë është një endacak, i cili nuk jetonte me familjen e tij, por endej nëpër qytete duke realizuar vjedhje të pafundme, aq sa ishte bërë “mjeshtër”. Duke shfrytëzuar prirjet për realizimin e mjaft grabitjeve pa lënë gjurmë si dhe mungesën e kujdesit prindëror, bashkëshortët e arrestuar Hysmet Daja dhe Rolanda Abazaj, e përdornin djaloshin hajdut për të realizuar vjedhjet e planifikuara, duke u bërë tutorë faktikë të tij. “Mbi të arrestuarit rëndon vepra penale e vjedhjes në bashkëpunim ndërkohë që 43-vjeçari Daja rezulton i dënuar më parë nga gjyqësori për kryerjen e marrëdhënieve seksuale me dhunë me kushërirën e gruas së tij të parë”,- thonë burimet policore. Materialet për këtë çështje i kanë kaluar organit të akuzës për veprime të mëtejshme proceduriale.