E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, vendoset largimi i 84 mësuesve

ELBASAN-Fundi i muajit prill pritet të jetë edhe fundi i kontratës për dhjetëra mësues pa arsimin përkatës, ndërkohë që janë paralajmëruar se do të kalojnë mësues të përkohshëm 200 të tjerë. Kështu mësohet se vetëm një ditë më parë, Drejtoria Arsimore në Elbasan ka përcjellë pranë drejtorive të shkollave vendimin paralajmërues për të gjithë mësuesit që nuk kanë arsimin përkatës dhe japin lëndë për të cilat nuk kanë marrë diplomë.

***

Burime nga Drejtoria Arsimore bëjnë të ditur se fillimisht do të largohen mësuesit që japin orë të pjesshme mësimi në shkollat profesionale në Qarkun e Elbasanit, por që nuk kanë njohuri dhe aftësi mësimdhënie dhe shkollim për të dhënë mësim, por kanë mbaruar në profesione të tjera si muzikantë, inxhinierë, agronomë. Ata pritet të zëvendësohen me kriteret e përcaktuara nga Drejtoria Arsimore duke afruar ata mësues që kanë shkollimin përkatës. Ndërkohë një tjetër paralajmërim është shpërndarë gjatë këtyre ditëve për Drejtoritë e Shkollave. Të gjithë mësuesit pa arsimin përkatës do të zëvendësohen brenda prillit me mësues me arsim përkatës. Drejtori i Arsimit në Elbasan Kujtim Mema, deklaron se reforma në arsim është e domosdoshme për të rritur ndjeshëm cilësinë e mësimdhënies.

***

Ai deklaroi se do të bëhen përpjekje maksimale për t’i vendosur këta mësues që mbeten të papunë në pozicionin e tyre brenda profilit. “Ne do të bëjmë të gjithë kombinimet e mundshme për të mos i lënë këta mësues pa punë. Jemi të ndërgjegjshëm se dëmi për ta është i madh, por nuk mund të lejojmë akoma, kur ka një numër të madh studentësh që kërkojnë të punësohen të rrinë pa punë”- tha Mema, duke kujtuar se ka mësues që japin gjeografi kur kanë mbaruar ciklin e Ulët, apo edhe mësues të Ciklit të Ulët që japin në Ciklin e Lartë lëndë të ndryshme pa përgatitjen e duhur. Sipas tij, problematike janë sidomos shkollat e largëta të cilat preferohen më pak. Një tjetër paralajmërim ka mbërritur në shkolla duke përfshirë mësuesit që nuk kanë arsimin e lartë. Këta mësues do të kalojnë si të përkohshëm dhe do të zëvendësohen me mësues që kanë arsimin e lartë. Kjo reformë pritet të prekë rreth 200 mësues.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›