Gjirokastër, i ndërpritet uji spitalit rajonal
BORXHET/ Drejtori i spitalit, Genci Sinoimeri thotë se nuk ka asnjë njoftim zyrtar që justifikon veprimin
Ndërkohë drejtori i ujësjellësit pretendon se nga spitali bëhen plot katër muaj që nuk shlyejnë detyrimet
GJIROKASTËR - Spitali rajonal "Omer Nishani" në qytetin e Gjirokastrës mbetet pa ujë. Ky i fundit ndërpritet nga Ndërmarrja e Ujësjellësit. Ndërprerja e ujit shkakton debate ndërmjet drejtuesve të dy institucioneve. Çdo ditë, institucioni më i madh mjekësor në vend përballon një numër të lartë vizitash, shtrimesh e operacionesh, ndërsa 12- 15 pacientë kryejnë aty procesin e hemodializës.
Spitali
Qysh prej mëngjezit të ditës së premte, spitali rajonal "Omer Nishani" nuk furnizohet më me ujë të pijshëm. Kjo, pasi Ndërmarrja e Ujësjellës- Kanalizime e ka prerë. Drejtori i spitalit Genci Sinoimeri, është shprehur se ndërprerja e ujit bëhet thjesht për shkaqe politike, pasi ky akt është kryer pa asnjë njoftim zyrtar dhe nuk ka asnjë justifikim për të. "Janë 12- 15 pacientë që i nënshtrohen hemodializës.
Sot është kryer një operacion mjaft i vështirë, për të mos folur për volumin e madh të punës që ky spital përballon. Spitali rajonal i ka shlyer të gjitha detyrimet që ka ndaj Ndërmarrjes së Ujësjellësit, nuk kemi asnjë detyrim të mbartur qoftë prej vitit të kaluar apo edhe për këtë vit. Kjo e fundit nuk është në gjendje të ndërpresë dhjetëra lidhje të paligjshme që furnizohen nga rrjeti i spitalit dhe problemet ekonomike kërkon t'i zgjidhë në kurriz të institucionit tonë. Ky është një veprim arbitrar, pasi jo vetëm që nuk ka asnjë justifikim, por është kryer edhe pa asnjë njoftim zyrtar.
Gjithçka është politike. Kam kontaktuar edhe me kryetarin e bashkisë për këtë çështje, por nuk kam marrë asnjë përgjigje", është shprehur Sinoimeri, i cili ka pohuar ndërkaq, se do të jetë vetë spitali që do të kryejë prerjen e dhjetëra lidhjeve të paligjshme që furnizohen nga ky rrjet.
Ujësjellësi
Drejtues të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizime shprehen se ndërprerja e ujit të pijshëm për spitalin rajonal "Omer Nishani" është bërë pasi faturat e ujit nuk janë shlyer prej katër muajsh. "I jemi drejtuar zyrtarisht spitalit që të vendosë matës për ujin e pijshëm që harxhon, por nuk e ka bërë këtë. Kështu që e faturojmë aforfe këtë institucion, i cili ka katër muaj që nuk ka paguar detyrimet ndaj ndërmarrjes sonë. Në Vendimin e Këshillit të Ministrave të vitit 2007 përcaktohet qartë se abonentët duhet të shlyejnë detyrimet brenda 30 ditëve të ardhshme.
Ne u kemi lënë katër muaj kohë dhe ata nuk i kanë bërë pagesat. Kjo është një ndërmarrje me vetëfinancim dhe si e tillë duhet të mbledhë të ardhura që të vazhdojë punën", është shprehur në lidhje me këtë çështje drejtori i ndërmarrjes së ujësjellës- kanalizime, Dashmir Qeli. Spitali rajonal "Omer Nishani" është më i madhi në jug të vendit dhe pret pacientë nga rrethet Tepelenë, Përmet, Sarandë, Delvinë e Gjirokastër dhe çdo ditë përballon një numër të lartë vizitash, shtrimesh e operacionesh, ndërsa 12- 15 pacientë kryejnë aty procesin e hemodializës.
Entela Kaso