E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti zyrtarëve e gjyqtarëve pengesë për hetimin

PROKURORIA
Drejtuesi i Task- Force së prokurorisë së kryeqyteti, Dritan Rreshka sugjeron ndryshimin e legjislacionit


TIRANË- Imuniteti i zyrtarëve të lartë shtetëror dhe gjyqtarëve të shkallëve të ndryshme të gjyqësorit është bërë pengesë për njësinë e task-forcës pranë Prokurorive të Rretheve për hetimin e tyre për afera korruptive.


Ky është shqetësimi i ngritur nga drejtuesi i Task-forcës së luftës kundër krimin ekonomiko-financiar pranë Prokurorisë së Tiranës, prokurorit Dritan Rreshka i cili gjatë një takimi të organizuar nga UPDAT-i, sugjeroi që të ndryshohet legjislacioni në fuqi në lidhje me imunitetin e zyrtarëve të lartë shtetërore dhe gjyqtarëve.


"Imuniteti i zyrtarëve të lartë shtetëror, si deputet, ministra apo edhe gjyqtar të të gjitha shkallëve të gjyqësorit është bërë pengesë në punën e përditshme të njësisë së task-forcës, e cila ka hasur në vështirësi në luftimin e korrupsionit në këto nivele"-tha drejtuesi i task-forcës së Prokurorisë së Tiranës, prokurori Rreshka.


Në vazhdim të fjalës së tij, ai vuri theksin se edhe pas heqjes së këtij imunitetit nga institucionet përkatëse, ndaj zyrtarit apo gjyqtarit nuk mund të bëhet një hetim cilësor për shkak se ai tashmë është i lajmëruar për hetimin ndaj tij.


"Në rastet kur një qytetar apo shoqëri denoncon një iks zyrtarë të lartë shtetëror apo një gjyqtar të gjykatës së një iks niveli, ne nuk mund të bëjmë asnjë veprim hetimor për shkak të imunitetit.


Edhe pas marrjes së iniciativës nga ana jonë për të kërkuar heqjen e imunitetit, kjo procedur vonon dhe vetë i hetuari njoftohet në rrugë të ndryshme për heqjen e imunitetit të tij"-nënvizoi prokurori Rreshka, duke renditur rastet e hetimit dhe gjykimit të tre gjyqtarëve të ndryshëm.


Gjithashtu, sipas tij, njësia që ai drejton ka marr në hetim dhe i ka dërguar për gjykim dosjet ku të pandehur kanë qenë dy prokuror, oficer të policisë gjyqësore dhe rreth katër avokat të ndryshëm të përfshirë në afera korrupsioni me zyrtarët e lartë shtetëror.


Po këtë shqetësim, e ngriti edhe prokurori Arben Kraja, i cili mban detyrën e kryeprokurorit të të gjitha task-forcave në vend. Sipas tij, qeveria apo legjislatori duhet të bëjë ndryshime në Kushtetutë ose në nenet e Kodit të Procedurës Penale, ku bëhet fjalë për imunitetet e personave të ndryshme.


"Është pengesë në punët e përditshme imuniteti i personave, por, në rastet e konstatimit të ndonjë indicje për afera korrupsioni ne nuk do ndalemi në hetimin ndaj tyre dhe dërgimin para drejtësisë.


Gjatë vitit të kaluar edhe pse njësia e task-forcës ka hetuar dhe dërguar për gjykim, persona apo zyrtar të lartë shtetëror, nuk ka pas ndonjë presion apo ndërhyrje nga individë të ndryshëm"-tha Kraja, duke shtuar se tendenca e kallëzimeve është në rritje. Ndërkohë, ish-shefi tashmë i task-forcës së prokurorisë në kryeqytet, prokuror Altin Dumani që kryen detyrën e prokurorit pranë Gjykatës së Apelit, u shpreh se një vit pas konsolidimit të kësaj njësie është rritur besimi i qytetarëve ndaj këtij institucioni.


"Këto tre muajt e fundit, është dyfishuar volumi i punës për njësinë e task-forcës në hetimin e dosjeve të korrupsionit, pasi edhe besimi qytetar është rritur por edhe njësia është konsoliduar me plotësimin e stafit të punës"-tha Kraja.


Gjithashtu, prokurori Kraja theksoi se është rritur edhe bashkëpunim me institucionet që nënshkruan memorandumin e 7 majit 2007 duke iu shtuar këtij memorandumi edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimeve dhe Kontrollit të Pasurive, të cilët kanë sjell edhe stafin e tyre pranë këtyre njësive.


Ndërkaq, deri më tani, sipas drejtuesve të task-forcës janë gjykuar dhe kanë marr formën e prerë mbi 28 vendime penale ndaj personave të ndryshëm, për akuzat e "shpërdorimit të detyrës"; "korrupsionit pasivë e aktivë të zyrtarëve që ushtrojnë funksione publike" etj etj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›