E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret veten me granatë, plagos gruan

KRIMI/ Kastriot Mici është kthyer në banesë në gjendje të dehur, ka puthur gruan e më pas ka shpërthyer granatën

Bashkëshortja ka rrëfyer se kanë qenë orët e mbrëmjes kur 32-vjeçari ka ardhur në shtëpi i pirë


Devoll- Një i vdekur dhe një i plagosur është bilanci në një çift bashkëshortësh. Ngjarja e rëndë është regjistruar më fshatin Vidohovë të rrethit të Devollit, që u bë i njohur pas masakrës së muajit janar të 41-vjeçarit Besim Karaj ndaj tre vëllëzerve Mulliri. Vëmendja është rikthyer sërish në fshatin kufitar me Greqinë, rreth 50 kilometra larg Korçës, kur natën e së enjtes shpërthimi i një granate ka lënë të vdekur në vend babanë e dy fëmijëve dhe ka plagosur bashkëshorten e tij.
Ngjarja
Siç bëjnë të ditura burimet zyrtare të policisë së Korçës, ngjarja është regjistruar në orët e vona të mbrëmjes së kaluar. Shtetasi Kastriot Miçi, 32 vjeç, ka shkuar në shtëpi në gjendje të dehur pasi ka qenë në një lokal të fshatit për një kohë të gjatë me disa bashkëfshatarë të tij. Ai është kthyer rreth orës 22:30 në banesë ndërsa kishte vendosur t'i jepte fund jetës. Me një granatë në dorë viktima është hedhur në erë, pa shpjeguar vendimin për këtë vetëflijim.


Akti i tij ka lënë të plagosur edhe bashkëshorten 23-vjeçare Aurora Mici, e cila gjendet e shtruar në spitalin rajonal të Korçës jashtë rrezikut për jetën. 32-vjeçarja është përpjekur ta shpëtojë burrin nga vdekja, madje t'i largojë granatën, por në momentin që ai ka hequr unazën e saj është mënjanuar për të mos u përfshirë nga shpërthimi. Mësohet se viktima pa thënë asnjë fjalë e ka puthur gruan dhe më pas i përlotur është larguar drejt oborrit të shtëpisë për të shpërthyer granatën e dorës.


Kaq ka mjaftuar që Mici të përfundojë i përgjakur në tokë, ndërsa dëmtime seroize ka marrë edhe gruaja e tij. Sipas të dhënave të policies, 32-vjeçari ka vdekur në vend, ndërsa gruaja ka marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Bilishtit dhe më pas në atë të Korçës. Ngjarja është duke u hetuar nga policia vendore, teksa dyshohet që shkak i këtij akti vetëflijues të jetë bërë përdorimi i alkoolit. Mici, baba i dy fëmijëve, njihej si përdorues i alkoolit, ndërkohë që jetonte në fshat pasi ishte dëbuar nga shteti grek për të mos hyrë për 5 vjet në të, pasi ishte kapur pa leje qëndrimi në të.


Rrëfimi i gruas
Aurora Mici nga shtrati i spitalit të Korçës ka rrëfyer momentet e tmerrit që ka përjetuar një natë më parë. Ndonëse nuk e ka mësuar ende se bashkëshorti i saj ka vdekur, ajo është tejet e shqetësuar, ndërsa asnjë familjar nuk e ka vizituar atë, pasi tragjedia ka mbërthyer në shtëpinë e saj. Ajo ka pohuar se viktima ka mbërritur në gjendje të dehur në banesë, ndërkohë që fëmijët dhe prindërit e tij ishin në gjumë. "Isha duke fjetur në kuzhinë teksa im shoqi erdhi brenda. U ngrita dhe mendova se do të hante darkën, por ai më puthi në faqe dhe doli përsëri jashtë.


E ndoqa pas dhe pashë se me vete mbante një granatë. U tmerrova dhe kuptova se ishte duke bërë ndonjë marëzi. I fola të linte granatën se nuk di se ku e kishte gjetur dhe i thashë se fëmijët ishin në gjumë, por ai nuk pyeti, por i hoqi unazën. Mbaj mend se rashë pa ndjenja dhe më kishin sjellë në spital. Tashmë nuk di asgjë dhe as se si është im shoq. Burri pinte shumë kohët e fundit, dhe grindjet vinin vetëm nga ky shkak", ka pohuar ndër të tjera gruaja e traumatizuar, e cila është nën vëzhgimin e mjekëve në spitalin e Korçës. Me disa dëmtime në kokë dhe bark, sipas bluzave të bardha, e plagosura është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq në shtëpinë e saj është kryer ceremoni mortore e Kastriot Micit i cili i vetëvra me një granatë dore.


Albana Çakshiri

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›