E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, i pandehuri denoncon dhunën në polici

AKUZA/ Gerti Miho, i akuzuar për trafikim narkotikësh u paraqit në gjykatë me shenja dhune

GJIROKASTËR- Tri ditë më parë u vu në pranga për “trafikim narkotikësh”, ndërsa dje Gerti Miho u paraqit në sallën e gjyqit me shenja në fytyrë. Përpara gjyqtarit ai rrëfeu se ditën e ndalimit njëri prej oficerëve të policisë së Gjirokastrës ushtroi dhunë mbi të dhe nisur nga ky fakt në prokurori u depozitua një kallëzim. Avokati mbrojtës i Mihos, Arjan Sotiri, e quajti të papranueshëm keqtrajtimin e klientit të tij në mjediset e policisë dhe kërkoi nisjen e menjëhershme të hetimit ndaj oficerit të policisë, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur. Ndërkohë, burime nga organi i akuzës u shprehën se do të nisin hetimet për këtë rast. Përpara gjyqtarit dhe prokurorit, 29-vjeçari Miho tregoi shenjat e keqtrajtimit fizik, të cilat ishin të dukshme në pjesë të ndryshme të fytyrës dhe veçanërisht në syrin e majtë, i cili ishte i enjtur dhe i nxirë tërësisht. Ai deklaroi se pas dhunës së ushtruar mbi të, është dërguar në urgjencën e spitalit rajonal “Omer Nishani” për të marrë ndihmën mjekësore. Ndërsa, avokati kërkoi një konstatim nga mjeku ligjor për dhunën e ushtruar tek klienti i tij. Ndërkohë, kallëzimi penal për këtë ngjarje iu depozitua prokurorit të çështjes, Spartak Çoçoli.

Pas denoncimit të njërit prej të pandehurve në gjykatë për ushtrim dhune ndaj tij nga një oficer policie, reagoi edhe Drejtoria e Policisë së Gjirokastrës. Në një deklaratë për shtyp mohohet ushtrimi i dhunës ndaj 29-vjeçarit, ndërkohë që thuhet se në momentin e ndalimit Miho ka tentuar të largohej duke bërë rezistencë dhe duke kundërshtuar uniformat blu. “Në këto kushte forcat e policisë kanë qenë të detyruara ta shoqëronin të ndaluarin me dhunë drejt mjediseve të komisariatit”,- thuhet në këtë deklaratë. Ky nuk është i pari rast kur avokatët denoncojnë raste të ngjashme ndaj klientëve të tyre. Vetëm rreth një muaj më parë, në Sarandë një të pandehuri i ra të fiktë në sallën e gjyqit, por ndërkohë, polici i akuzuar u lirua pas kryerjes së ekspertizës mjeko-ligjore, në të cilën thuhej se i riu nuk kishte shenja të dukshme dhune. E.Bani

Masa

“Burg pa afat” për tre të pandehurit

Gjykata e Shkallës së Parë caktoi dje masën e sigurisë “burg pa afat” për tre ndaluarit, që tentuan të transportonin lëndë narkotike nga Lazarati në drejtim të Korçës. Avokatët mbrojtës, ndërsa pretenduan se klientët e tyre ishin të pafajshëm, kërkuan nga gjykata caktimin e masës “detyrim me paraqitje”. Ndërkaq, në përfundim të seancave gjyqësore, të zhvilluara nën masa të rrepta sigurie, togat e zeza pranuan kërkesën e prokurorit. Tre personat u ndaluan në orët e para të datës 4 janar në rrugën nacionale Gjirokastër- Kakavijë, në vendin e quajtur Kafe Bora ndërsa transportonin një sasi prej 98 kg marijuanë, të fshehur në mjetin tip furgon me targa KO 7149 A. “Trafikim i lëndëve narkotike” është akuza që rëndon mbi tre të ndaluarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›