E Shtunë, 31 Tetor 2026

Martohet zyrtarisht Zani Çaushi

CELEBRIMI/ Një nga kapobandat e vitit 1997 ka paraqitur kërkesën për t’u martuar me një shtetase nga rrethi i Matit

Përfaqësues të gjendjes civile janë dërguar drejt burgut ku ndodhet Zani për të kryer verifikimet përkatëse

VLORË - Ndërsa ditët e para të janarit vijojnë të jenë të ngarkuara në zyrat e gjendjes civile të Vlorës, kryesisht për marrjen e certifikatave, i njëjti fluks gjendet edhe në zyrën në të cilët firmosen shpalljet apo lidhjet martesore. Në grupin e madh të certifikatave, këto ditë të para të vitit, teksa nëpunësja shfleton certifikatat, syri të kap dhe një foto të njohur. Dhe, teksa përpiqesh për të kujtuar fytyrën, përnjëherësh në mend të vjen edhe emri, të cilin e lexon me të shpejtë, edhe pse s’të duket i zakonshëm: Myrteza Çaushi. Certifikata e të dënuarit me burgim të përjetshëm për krime të kryera në vitin 1997 bashkangjitet me kandidaten për bashkëshorte. Vendimi i guximshëm është marrë nga një 29-vjeçare nga rrethi i Matit.

Pas bërjes publike të vendimit për të shkuar drejt altarit, dy personat, njëri prej tyre prapa hekurave të burgut, si dhe një emër i njohur në Vlorë, kanë vendosur të kryejnë edhe procedurat zyrtare, për t’u lidhur përfundimisht me martesë. Nëpunëset e gjendjes civile të Vlorës janë të rezervuara në detaje, ndërkohë që burime nga këto zyra bëjnë me dije se procedurat përfundimtare do të kryhen nga bashkëshortja në zyrat e gjendjes civile të Matit, por fillimisht do të kryhen disa verifikime.

Certifikatat janë dorëzuar për shpallje martese, ndërkohë që nga ana e zyrave civile në Vlorë janë dërguar përfaqësues drejt burgut ku vuan dënimin Zani Çaushi, për të kryer dhe verifikimet përkatëse. Gjithsesi, zyrtarizimi përfundimtar i aktit martesor, mësohet se nuk do të bëhet në vendlindjen e Myrteza Çaushit, por në rrethin verior, ku jeton edhe bashkëshortja e tij e ardhshme. I forti i Çoles ndodhet në izolim prej gati 11 vjetësh, me akuzën e përfshirjes në trazirat e vitit 1997. Pas një mori akuzash që rëndojnë mbi të, duket se Zani ka vendosur të sfidojë dënimin, me anë të një martese të rregullt, pavarësisht se ndodhet në burg, aktualisht me afatin: të përjetshëm.

Mësohet se bashkëshortja e ardhshme e Zani Çaushit është njohur me të ndërkohë që ky i fundit ndodhej në burg. Kanë qenë të afërm të tyre që i kanë prezantuar dhe dashuria mes tyre duket se ka qenë shumë e fortë për të mos u ndalur përballë faktit se bashkëshorti është i dënuar përjetë për kryerjen e disa krimeve. Martesa e Çaushit është përfolur edhe më parë, megjithatë duket se vetëm tani ajo është kthyer në një realitet, duke nënshkruar edhe në gjendjen civile dhe duke i dhënë fund çdo “spekulimi” të mundshëm.

Zani Çaushi ishte kreu i një prej bandave në qytetin e Vlorës. Ai është i dënuar tashmë me burgim të përjetshëm, ndërkohë që për të vazhdon gjykimi për akuza të tjera në Gjykatën e Tiranës. Rreth një muaj më parë, prokuroria kërkoi dënimin me 102 vjet heqje lirie për bandën e Zani Çaushit. Të pandehurit Dorian Saliu, Renato Çerçizi, Skënder Bajrami, Hair Hiraj dhe Myrteza Çuashi i njohur ndryshe si Zani i Vlorës (i vetmi i vënë në pranga) akuzohen se kanë kryer një sërë veprash të rënda penale, nga ajo e vrasjes e deri tek rrëmbimi i personit dhe vendosjes së gjobave për lirimin e tyre. Vepra penale dyshohet të jenë kryer në kuadër të organizatës së armatosur të drejtuar nga Zani Çaushi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›