Gjirokastër, kapen 90 kg marijuanë, arrestohet 31-vjeçari

Rreth 90 kg marijuanë janë sekuestruar sot nga policia e Gjirokastrës ndërsa është arrestuar një person dhe janë shpallur në kërkim 4 të tjerë të cilët po transportonin lëndën narkotike.
Burime nga policia bëjnë me dije se është arrestuar 31-vjeçari Ervis Murati , lindur dhe banues në Shijak i dënuar më parë me 4 vite burg në shtetin grek për veprën penale të "Trafikut të lëndëve narkotike " ndërsa janë shpallur në kërkim dy transportuesit e tjerë të drogës shtetasit me inicialet A.K 29 vjeç dhe K.M 26 vjeç, të dy persona me precedentë penal në fushën e narko- trafikut.
Sipas policisë lënda narkotike e cila ishte e futur në tre çanta të mëdha shpine do transportohej nga tre të rinj nëpërmjet pyllit të Ujit të Ftohtë deri në fshatin Luzat , me qëllim shmangien e postobllokut të Policisë dhe më pas përsëri do të transportohej me automjet .
Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër janë vënë në ndjekie të tyre, ku kanë bërë të mundur kapjen e 31-vjeçarit Murati,ndërsa dy të rinjtë e tjerë kanë hedhur çantat me lëndë narkotike dhe janë larguar me shpejtësi në brendësi të pyllit të Ujit të Ftohtë Tepelenë duke përfituar nga errësira dhe nga njohja e terrenit.
Gjithashtu policia e Gjirokastrës ka shpallur në kërkim edhe pronarin e lëndës narkotike nga fshati Lazarat konkretisht shtetasin me inicialet K.S 31 vjeç dhe një 45-vjeçar nga Durrësi me inicalet B.A, që ka blerë lëndën narkotike në fshatin Lazarat dhe do ta transportonte me automjetin e tij.
Sipas policisë drejtuesi i mjetit e ka lënë lëndën narkotike në afërsi të pyllit të Ujit të Ftohtë në Tepelenë rreth 500 metra mbi rrugën nacionale dhe më pas është larguar .
Lënda narkotike ishte e paketuar në pako në formë cilindrike të mbështjella me letër natriban , me peshë 1.2 kilogramë secila, gjithësej rreth 90 kilogramë mariuanë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Sipas policisë droga ishte transportuar nga fshati Lazarat në drejtim të Tepelenës dhe kishte si destinacion kufirin detar për në Itali.