Gjirokastër, kapen me heroinë, arrestohen 2 të rinj

Policia e Gjirokastrës ka bërë të mundur arrestimin e dy të rinjve të cilët akuzohen për trafikim të lëndëve narkotike. Burime nga policia bëjnë me dije se janë arrestuar Ledio Tufa dhe Urim Lita, të dy janë 23 vjeç dhe banojnë në Tiranë. Arrestimi i tyre është bërë dje rreth orës 09.00 nga agjentët e Seksionit Kundër Narkotikëve.
Policia u ka gjetur me vete dy të rinjve një sasi prej 0.9 gramë drogë e cila dyshohet të jetë heroinë. Ata janë ndaluar nga patrulla e përgjithshme në rrugën e Elbasanit. Pas kontrollit u janë gjetur tre qese të mbyllura me djegie, ku brenda tyre kishte pluhur ngjyrë bezhë, me një sasi prej 0.9 gram, me gjithë ambalazh, e dyshuar si lëndë narkotike e llojit heroinë. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale edhe 7 telefona celularë të markave të ndryshme, si dhe 37 500 lekë.