E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Malta mbështet proceset integruese të Shqiperisë

TIRANË- Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli u takua sot me zv/kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Maltës, Tonio Borg në vizitën e tij të parë në Shqipëri, i cili vlerësoi se "ardhja në Kuvend, hap një fazë të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve".

Zyra e shtypit e Kuvendit bëri të ditur se Kryetarja e Kuvendit e vlerësoi Maltën dhe mbështetjen e autoriteteve të saj për proceset integruese të Shqipërisë dhe heqjes së vizave me BE-në. Z. Borg siguroi Kryetaren e Kuvendit se "Malta mbetet një vend mik i Shqipërisë dhe i popullit shqiptar, në reformat për integrim në BE".

Kryetarja Topalli duke informuar zv/kryeministrin maltez lidhur me tentativën e dështuar për pushtimin me dhunë të Kryeministrisë dhe përmbysjen e rendit kushtetues në vend, si dhe për masat e marra në përballimin e kësaj situate ende në vazhdim, tha se "tentativa e dështuar e grushtit të shtetit tregoi qartësisht, jo vetëm rrezikun eminent që i kanoset demokracisë, rendit kushtetues dhe jetës së çdo qytetari, kur çmenduria dhe dhuna bëhen frymëzim dhe axhendë e politikanëve të caktuar, por kjo ngjarje tregoi gjithashtu, në mënyrë të qartë se vetëm nëpërmjet veprimit të ligjit pa kompromis dhe pa hezitim, rendi kushtetues triumfon ndaj këtyre kërcënimeve".

Më tej ajo bëri të ditur se, "Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur një komision hetimor, i cili do të investigojë në tërësi veprimtarinë e institucioneve kushtetuese dhe institucioneve të zbatimit të ligjit, lidhur me zbatimin e kompetencave të tyre ligjore dhe evidentimin eventual të mungesave dhe mangësive në kuadrin ligjor dhe atë organizativ, si dhe në bashkëveprimin institucional.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›