E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, kapet me drogë dhe armë studenti

Një student i Infermierisë dhe tri persona të tjerë janë arrestuar nga Policia e Gjirokastrës teksa tentonin të kalonin për në Greqi rreth 100 kilogramë marijuanë. Sektori i Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të Kakavijës, organizuan mbrëmjen e së premtes operacionin e koduar "Manastiri", pasi kishin grumbulluar informacione se në drejtim të kufirit të gjelbër me shtetin grek mund të transportohej një sasi lënde narkotike. Rreth orës 19:00, nga ana e shërbimeve të policisë u konstatuan 4 persona anës lumit Drino, në afërsi të fshatit Llongo, të cilët ishin të ngarkuar me çanta dhe po lëviznin në drejtim të vijës së kufirit me Greqinë. Pas një ndjekje të gjatë në një terren tepër të vështirë, rreth orës 00:30 të së shtunës, në vendin e quajtur "Manastiri", fare pranë vijës së kufirit, u bë e mundur kapja e njërit prej këtyre shtetasve, i cili ishte i armatosur me një kallashnikov me fishekë në gojë, duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë që bënë bllokimin e tij. Personi i arrestuar është Evaris Pasha, 19 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Memaliaj, student në vitin e parë për Infermieri, në universitetin "Eqrem Çabej" të Gjirokastrës. Këtij personi iu bllokua dhe lënda narkotike, e cila ishte futur në katër çanta të mëdha. Personat e tjerë mundën të largoheshin, duke përfituar nga errësira dhe terreni tepër i vështirë, por policia arriti t‘i identifikonte dhe i ka shpallur persona në kërkim. Ndërkohë që materialet në ngarkim të katër shtetasve i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme, Policia e Gjirokastrës ka vijuar operacionin për kapjen e tri personave që mundën të largohen.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›