E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anija e ushtrisë shpëton peshkatarin

Një anije ushtarake e Bazës së Pashalimanit i ka shpëtuar jetën dje paradite një peshkatari nga Orikumi. Petrit Maliqi, 45-vjeç, ka dalë si zakonisht në det për të peshkuar me një varkë druri. Por era e fuqishme e ka tërhequr në thellësi varkën e tij, duke i rrezikuar jetën. Vetëm ndërhyrja e mjeteve të ushtrisë i ka shpëtuar jetën dy orë pasi ai kërkoi ndihmë.

Sipas Policisë së Vlorës, Maliqi ka dalë në det në orën 06:00 të mëngjesit të djeshëm, për të peshkuar në zonën e Orikumit. Pasi ka hedhur rrjetat jo shumë larg bregut, rreth orës 09:00 peshkatari i është drejtuar përsëri bregut, por moti është përkeqësuar papritur dhe shpejtësia e erës është rritur duke e shtyrë varkën e tij drejt ishullit të Sazanit. Peshkatari është munduar ta përballojë erën duke u mëshuar lopatave, por nuk ka arritur të ndalë shtyrjen e varkës nga era në thellësi të detit, duke rrezikuar mbytjen. Pronarë të lokaleve që ndodhen fare pranë bregut të detit kanë vëne re se varka e 45-vjeçarit Petrit Maliqi po largohej në thellësi të detit e shtyrë nga era e fuqishme që kishte filluar pa pritur. Duke pasur parasysh rrezikun që i kanosej peshkatarit, pronarët e lokaleve kanë njoftuar menjëherë Kapitanerinë e Portit të Vlorës, Distriktin Detar, si dhe bazën ushtarake në Pashaliman, duke dhënë edhe koordinatat e varkës. Menjëherë në një operacion kërkim-shpëtimi janë angazhuar mjetet e policisë kufitare, anijet e distriktit detar, një anije ushtarake e Pashalimanit, si dhe mjetet e "Guardia di Finanzza". Në orën 12:00 të ditës së djeshme, anija ushtarake e Pashalimanit ka identifikuar varkën në afërsi të ishullit të Sazanit dhe më pas i ka dhënë ndihmën e nevojshme, duke e tërhequr deri në bregdetin e Orikumit, nga ku ishte nisur.

Kapiteni i parë, Artur Meçollari, ka konfirmuar se "sapo morëm njoftim për rrezikun që i kanosej peshkatarit, duke parë edhe kushtet atmosferike të këqija, vepruam shumë shpejt për të shpëtuar jetën e tij, duke nxjerrë në det një mjet të ri dhe të shpejtë. Në bashkëpunim me Kapitanerinë dhe policinë, anija jonë e bazës së Pashalimanit arriti të identifikojë e më pas të shpëtojë jetën e peshkatarit". Sipas Meçollarit, nëse nuk do të ishte njoftuar në kohën e duhur, jeta e peshkatarit do të ishte në rrezik, sepse era dhe dallgët e mëdha mund ta kishin nxjerrë varkën në det të hapur, ku do të ishte e pamundur të jepej ndihmë. "Fatmirësisht u njoftuam shumë shpejt dhe reagimi ynë pati rezultat".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›