E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, kapet një udhërrëfyes klandestinësh

Policia Kufitare dhe e Migracionit të Gjirokastrës ka mundur të arrestojë edhe shtetasin Riza Dautaj, 52 vjeç, nga Ballshi, i cili akuzohet për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit. Dautaj, i dënuar më parë për veprën penale të kundërshtimit me dhunë të punonjësve të policisë, ka arritur të përcjellë pa probleme drejt Greqisë përmes një zone të fshehtë afër kufirit me Greqinë shtatë shtetas nga Fieri. Pasi kanë kaluar me sukses vijën e kufirit të gjelbër, të shtatë shtetasit, mes të cilëve dy gra, kanë përshkuar një rrugë deri në shtatë kilometra në territorin grek dhe janë pikasur nga policia greke. Ata janë deportuar nga ana e policisë greke dhe kur janë marrë në pyetje nga policët shqiptarë kanë treguar se kishin kaluar kufirin me ndihmën e Dautajt, i cili kishte marrë 600 euro për secilin.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›