E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuhen shpresat, gjendet viktima e pestë në liqen

Pas tetë orësh kërkimi nënujor në liqenin e Butrintit është bërë e mundur gjetja e trupit të mbytur të 17-vjeçarit Ndriçim Myftari nga palombarët e RENEA-s. E enjtja ka qenë dita e katërt e operacionit të kërkimit të të zhdukurve në tragjedinë e liqenit të Butrintit. Dje është trefishuar numri i palombarëve, që janë vënë në kërkim të 17-vjeçarit Ndriçim Myftari, pas komunikimit të të atit të tij, Ylli Myftari, me numrin një të Policisë së Shtetit Ahmet Prençi dy ditë më parë. Në 13 ka arritur ditën e enjte numri i palombarëve të përfshirë në operacionin kërkimor në liqenin e Butrintit. Një ditë më parë janë gjetur në breg disa nga veshjet e 17-vjeçarit të zhdukur, por kjo nuk është konfirmuar plotësisht nga familjarët.

Mësohet se rreth orës 15:00 të ditës së djeshme palombarët vendosën të ndërprisnin kërkimet. Por kur ata po mblidhnin pajisjet dhe po bëheshin gati për të dalë në breg, një peshkatar i njoftoi se kishte parë diçka të dyshimtë në afërsi të impiantit të rritjes së midhjeve në liqen. Palombarët shkuan menjëherë në vendin ku u tha peshkatari dhe aty gjetën trupin e pajetë të të riut. Trupi u gjet rreth 200 metra larg vendit ku u përmbys varka dhe sipas peshkatarëve ka pak shanse që ai të jetë çuar aty nga rrymat e ujit. Sipas tyre, i riu ka arritur të shpëtojë në momentin kur është përmbysur varka dhe ka notuar deri afër vendit ku u gjet. Aty, për shkak të të ftohtit, ai mund të ketë humbur ndjenjat dhe është mbytur.

Fillimisht ka qenë pothuaj e pamundur të identifikohet se kujt i përkiste trupi i pajetë që është gjetur, pasi ishte i fryrë nga uji dhe ishte gati i zhveshur. Vetëm kur kufoma është transportuar me skafin e policisë kufitare për në molin e betontë që gjendet përpara Vilës së Peshkatarit, është njohur nga familjarët. Ylli Myftari dhe Bashkim Myftari, përkatësisht babai dhe xhaxhai i 17-vjeçarit Ndriçim Myftari, kanë njohur njeriun e tyre të dashur, për të cilin gjatë gjithë këtyre ditëve pas tragjedisë kanë këmbëngulur të intensifikoheshin kërkimet.

Por mësohet se kur trupi është çuar në morg dhe babai është thirrur edhe njëherë për të bërë identifikimin, ai ka deklaruar në një moment se kufoma nuk i përkiste Ndriçimit. Por pak më vonë ai foli në telefon me gruan, të cilën e pyeti për detaje në lidhje me veshjen e të birit. Pas kësaj telefonate ai e pa edhe njëherë kufomën dhe pasi verifikoi ato që i kishte thënë e shoqja, konfirmoi se trupi i pajetë i përkiste djalit të tij 17-vjeçar, Ndriçim Myftari.

Me kufomën e gjetur ditën e djeshme, numri i viktimave të shkaktuara nga tragjedia e Butrintit arrin në pesë. Ata janë: Edlira dhe Klara Jaho, nën e bijë nga Lapardhaja e Beratit; Amarildo Kuka, nga fshati Kurjan i Fierit; Festim Hoxhaj nga fshati Vidhishtë i Fierit dhe Ndriçim Myftari nga fshati Imsh i Lushnjës.

Grupi prej 13 palombarësh që u angazhua me kërkimin e trupave të pajetë të tragjedisë së Butrinit ka mbyllur punën e tij dje, pas gjetjes së trupit të 17-vjeçarit nga Lushnja. Burime zyrtare të policisë së Sarandës thanë dje se grupi i palombarëve është nisur dje pasdite për në Tiranë, duke e mbyllur kështu operacionin e kërkimit në kanalin e Vivarit dhe liqenin e Butrintit.

Kërkimet e palombarëve zgjatën katër ditë, nga e hëna deri të enjten. Ata arritën të nxirrnin nga uji trupat e tre të mbyturve, Amarildo Kukës dhe Festim Hoxhajt nga Fieri dhe të Ndriçim Myftarit nga Lushnja. Ndërsa trupat e dy viktimave të tjera, Elvira dhe Klara Jaho, u nxorën nga uji natën e tragjedisë. Largimi i palombarëve konfirmon se për policinë nuk ekziston më asnjë person i zhdukur. Policia kishte deklaruar edhe të hënën se nuk kishte persona të humbur përveç Ndriçim Myftarit, por duke kërkuar trupin e tij u gjetën edhe dy trupa të tjerë, të cilët nuk figuronin në listat e policisë. Megjithatë, deri tani nuk ka asnjë denoncim për persona të tjerë të humbur.

Sarandë

Përfundon në spital

palombari që gjeti 17-vjeçarin

Përfundon në spital palombari që gjeti viktimën e fundit të tragjedisë së Butrintit. Sulejman Rama, i cili është edhe kreu i grupit të palombarëve të forcave RENEA, ka pësuar një shok dje, fill pas mbarimit të operacionit të kërkimit për 17-vjeçarin Ndriçim Myftari. Palombari Rama ka dalë nga uji në gjendje të rëndë, për shkak të qëndrimit të gjatë në thellësi dhe të temperaturave të ulëta. Ai është transportuar menjëherë për në Tiranë, në Spitalin Ushtarak, ku u është nënshtruar terapive intensive. Burime nga Spitali Ushtarak thanë se palombari kishte pasur probleme të tensionit të gjakut, për shkak të punës me orë të zgjatura në thellësi të ujit. Ai ka pasur probleme edhe për shkak të temperaturave të ulëta të ujit. Për katër ditë, Rama është angazhuar në operacionet e kërkimit në liqenin e Butrintit duke qëndruar me orë të tëra nën ujë. Palombari ka qëndruar në spital deri dje në mbrëmje, ndërsa më pas është dërguar në shtëpi, pasi gjendja e tij shëndetësore është përmirësuar. Por mjekët thanë se ai do të duhet të pushojë dhe të mos zhytet për një periudhë të pacaktuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›