Tragjedia e Butrintit, debate në Kuvend
Tragjedia e ndodhur pak ditë më parë në liqenin e Butrintit, ku humbën jetën pesë persona që përpiqeshin të kalonin në mënyrë klandestine në Greqi, është kthyer në objekt debati dje në sallën e Kuvendit. Deputetët e opozitës i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë kësaj tragjedie, duke akuzuar qeverinë, që sipas tyre po mbyt qytetarët e saj, të cilët për të siguruar bukën e gojës pasi janë të mbytur nga varfëria, detyrohen të marrin rrugën e emigrimit. Këto pretendime janë hedhur poshtë nga deputetët e mazhorancës, të cilët kanë theksuar se trafiku në Shqipëri është minimizuar, por nuk përjashtohen edhe rastet sporadike të tyre. Deputeti i PS-së për zonën e Sarandës, Stefan Çipa, ka deklaruar se kjo është një qeveri e cila të mbyt natën dhe të ngushëllon ditën. Sipas Çipës, tragjedia e 19 tetorit 2008 nuk ka asgjë më pak se sa ajo e 9 janarit 2004. Madje, për nga mënyra e realizimit mund të konsiderohet edhe më e rëndë, sepse ndodh katër vjet më vonë dhe jo në mes të detit, por në qendër të një mezokanali, 20 km larg kufirit shtetëror, në kushtet e një moratoriumi të rreptë të mjeteve lundruese. "Tragjedia e 19 tetorit 2008 nuk ka asgjë më pak se sa ajo e marsit 2008, e ndodhur jo më në mes të detit Jon, por në mes të Tiranës, nё liqenin e Farkës", tha Çipa. Deklarata e deputetit të PS-së është mbështetur edhe nga kolegët e tjerë të opozitës, Bello e Xhufi.