Gjirokastër, kërkohet largimi i Bollanos
Ngrihen akuza ndaj personave që pasi u mikpritën nga shqiptarët, po ofendojnë identitetin e këtij vendi
GJIROKASTËR- Ngjarjet më të fundit në vend lidhur me qëndrimin e kryebashkiakut të Himarës përkundrejt shqiptarëve nuk kanë kaluar pa u vënë re. Thirrjeve të politikanëve për ta larguar Vasil Bollanon nga detyra e tij i janë bashkëngjitur edhe qytetarët e thjeshtë. Ditën e djeshme, në qytetin në jug të vendit, në Gjirokastër, thirrjet nacionaliste për mbrojtjen e identitetit shqiptar i janë shtuar dekorit të prag festave. “Traktet” anonime janë ngjitur në pjesë të dukshme, duke kërkuar të ngjallin reagimet dhe mbledhjen e firmave për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano.
Thirrjet
Mëngjesin e djeshëm, në çdo vend publik të qytetit të gurtë ishin të ngjitura thirrjet pa autor, të cilat kërkojnë sensibilizimin e shqiptarëve për të dalë në mbrojtje të identitetit të tyre. Madje njëra prej thirrjeve qëndronte mes lajmërimeve të vdekjeve në njërën prej stendave në qendër të pjesës së poshtme, që shërbejnë për këtë qëllim dhe ka qenë ajo që ka ngjallur më shumë interesin e kalimtarëve, të cilët pasi e lexonin bënin edhe komente të ndryshme. Me një gjuhë të ashpër nacionaliste, autorët anonimë të thirrjes kërkojnë që të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, të ngrihen për të mbrojtur ato që i kanë cilësuar si “troje të mbrojtura me gjak e me shpirt”. Në fund të thirrjes kërkohen madje edhe firmat në mënyrë që të shkarkohet kryetari i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, i emërtuar në këtë thirrje si vrasësi i Himarës dhe i gjithë shqiptarisë.
Përmbajtja
“Eja o vëlla, eja o motër, eja o at, eja o nënë! Eja, o shqiptar kudo ndodhesh, ejani të mblidhemi për të kundërshtuar ofendimin, përbuzjen, poshtërimin nga ata që shesin shpirtin për t’u bërë shërbëtor i djallit. Ejani për Himarën, ejani për Shqipërinë, për nderin, për krenarinë tonë, për atë që e kemi mbrojtur me gjak ndër shekuj, me atë gjak që është dhe mbetet kuq e zi. Ejani për të mos e lënë Himarën të bëhet blu. Eja të reagojmë kundër atyre që u dhamë respektin, mikpritjen shqiptare dhe tani na ofendojnë në vatrat tona. O shqiptari, po si mund të durosh kur të thonë që gjaku yt është bardh’ e blu, të poshtërojnë në shtëpinë tënde në sy të botës. Ti që ke dhënë jetën, shpirtin për këto troje, nipër të atyre heronjve që u përvëluan e u martirizuan për ty. Unë sot guxoj të them: Mjaft më! Mjaft më poshtërimit, mjaft më greqizimit. O sot o kurrë për shqiptarinë, për Himarën kuq e zi. Firmosni peticionin për shkarkimin e Vasil Bollanos, vrasësin e Himarës, vrasësin e shqiptarisë. Eja, eja dhe ti”. Është kjo thirrja pa autor e shpërndarë sot në Gjirokastër.
Precedenti
Vetëm dy muaj më parë, trakte të tjera pushtuan Gjirokastrën, të shpërndara nga Partia Komuniste, nëpërmjet të cilave ftoheshin banorët të merrnin pjesë në ceremonitë përkujtimore për 100-vjetorin e lindjes së Enver Hoxhës.
Gjyqi i Bollanos, seriali i mbartet 2009-s
VLORË - Gjyqi i kreut të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, i cili mund të quhet edhe gjyqi i vitit në Gjykatën e Vlorës, do t’i mbartet muajve të 2009-s. I përcaktuar për dje, shtyrja e radhës së seancave e ka pasur ndikimin nga aktet e ekspertimit. Në seancë ishte përcaktuar shqyrtimi i akteve të ekspertimit dhe materiali i është dorëzuar trupit gjykues. Ekspertët inxhinierikë dhe kontabël kanë pohuar se kanë pasur gati raportin që i referohet vendosjes së tabelave përgjatë aksit Llogora-Qeparo. Ka qenë pikërisht avokati i Bollanos, Petraq Curri, i cili ka kërkuar kohën e duhur për t’u njohur me materialet e dorëzuara nga ekspertët dhe shqyrtuar aktin e ekspertimit. Drejtuesi i seancës gjyqtari Shkëlzen Selimi, ka vendosur që seanca e radhës të zhvillohet në 8 janar. Edhe sot Bollano është gjykuar në mungesë, ndërsa nuk ka marrë pjesë në asnjë nga seancat gjyqësore në ngarkim të tij. Dosja ndaj kreut të Bashkisë së Himarës u hap nga prokuroria e Vlorës një vit më parë me akuzën e “shpërdorimit të detyrës”.