E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Ka gjyqtarë të mykur që duhen zëvendësuar

Presidenti paralajmëron dekretin për ligjin e dosjeve dhe kërkon që gjyqësori të vetëreformohet me njerëz të rinj

TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka paralajmëruar dje në mënyrë indirekte se mund të dekretojë pa shumë probleme ligjin e miratuar së fundmi nga maxhoranca për “Pastërtinë e figurës”. Ai ka folur në mbledhjen e fundit të KLD-së duke shprehur bindjen e tij personale se shumë prej gjyqtarëve duhet të lënë detyrën për faktin se janë “mykur” në pozicionet që kanë dhe në vend të tyre duhet të vijnë të rinjtë. “Kemi mundësi të mos i lemë njerëzit e aftë dhe profesionistë të marrin pozicione dhe profesione të tjera, sepse nuk ka mundësi dhe nuk ka realitet dhe të lemë njerëz të tjerë, të cilët janë të mykur nëpër disa pozicione, duke mos vënë drejtësi, duke dhënë favore dhe duke e lënë këtë shoqëri që të mendojë që a do të ketë drejtësi në Shqipëri apo jo”,- tha dje presidenti Topi. Tashmë e vetmja pengesë për dekretimin e ligjit nga ana e tij është këndvështrimi kushtetues. Kreu i Shtetit ka dhënë prova edhe më parë duke kthyer projektligje të rëndësishme të miratuara nga maxhoranca vetëm sepse kanë qenë qoftë edhe pjesërisht në shkelje me kushtetutën.

Duke iu referuar sistemit të drejtësisë sot, presidenti tha “Një organizëm i sëmurë, nuk ka rëndësi sa e rëndë është sëmundja, por gjithnjë ka nevojë dhe duhet të rrisë imunitetin. Dhe unë do t’i konsideroja ardhjet nga Shkolla e Magjistraturës si antitrupa në favor të shëndoshjes së imunitetit të sistemit të drejtësisë. Ju po e kuptoni që tranzicioni shqiptar është një tranzicion, për fat të keq mjaft i zgjatur. Ka nevojë sistemi i drejtësisë të pastrohet, realisht të pastrohet. Ka korrupsion dhe kur ky term përdoret në mënyrë shumë inflacioniste, pa veprime konkrete, atëherë ne themi që s’kemi bërë asgjë”,- tha kreu i shtetit. Ai theksoi se gjërat duhet të vendosen në standardet e tyre. Topi përmendi si një mundësi të mirë për të dalë nga gjendja apatike e sistemit të drejtësisë studentët e rinj. “Është një gjë e paimagjinueshme, ose më mirë, ka qenë e paimagjinueshme, të mendoje që studentët mbaronin universitete prestigjioze nga më të përparuarat në botë, dhe të mos biem në paradoksin që këta njerëz po përfundojnë në punë të tjera ose nuk janë atraktivë për ata që drejtojnë institucionet e drejtësisë në Shqipëri”,- tha ai.

Gjatë fjalës së tij Topi u ndal edhe një herë tek pavarësa e gjyqësorit dhe mënyra e përmirësimit të saj. “Pavarësia fillon tek individi. Individë të pavarur, me një mentalitet do të thoshja perëndimor, e theksoj perëndimor, sepse ju keni parë persona me integritet të lartë që kanë përballuar kauza të mëdha përballë politikës, në favor të qytetarit, të shoqërisë, në favor të kauzës së drejtë”,- tha presidenti. Sipas tij, janë vënë re hapa progresivë por fatkeqësisht sistemi i drejtësisë vazhdon të jetë i sëmurë. “Vazhdon të jetë i sëmurë, sepse ne ende jemi larg kapjes së atyre standardeve ku qytetari i thjeshtë dhe jo thjesht politika. Politika natyrisht është duhet të përfaqësojë interesat e qytetarëve, të cilët e shprehin vullnetin e tyre me votë. Por ka raste që politika merret edhe me debate të ditës, ndërsa ai që ndien nevojën për drejtësi, është pikërisht qytetari i thjeshtë”,- theksoi kreu i shtetit, Bamir Topi. Flamur Vezaj

TOPI

Kreu i shtetit ka paralajmëruar gjyqtarët dhe politikën që të qëndrojnë larg njeri tjetrit dhe të përqafojnë reformën

“Politika të mos ndërhyjë në sistemin gjyqësor”

TIRANË- Çështja e korrupsionit në drejtësi ka qenë tema më e diskutuar nga Presidenti i Republikës në mbledhjen e djeshme të KLD-së. Vetë kreu i shtetit ka pranuar dje problemet e shumta në sistemin gjyqësor por edhe ka akuzuar politikën si një nga shkaktarët kryesorë të kësaj situate. “Ajo që është elaboruar më shumë si temë, qoftë nga politika shqiptare, qoftë nga shoqëria shqiptare, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë, ka qenë pikërisht çështja e korrupsionit në drejtësi, çështja e reformimit të mëtejshëm të sistemit të drejtësisë, qoftë në nivelin legjislativ, natyrisht ka të bëjë me politikën parlamentare dhe me vullnetin e partive, por edhe me rritjen e standardeve brenda strukturave të pushtetit gjyqësor, me një lloj vetëpastrimi të strukturave të pushtetit gjyqësor”,- tha dje kreu i shtetit Bamir Topi. Sipas presidentit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka përballuar një debat, ku padyshim është shumë e vështirë që të ndash nuancat e debateve politike dhe debateve profesionale, por gjithsesi, asgjë nuk mund të trajtohet në mënyrë metafizike, gjërat kështu janë. “Ajo që ne kemi kërkuar nga gjykatësit dhe të gjithë aktorët e drejtësisë, kudo, ka qenë pikërisht ndarja me vullnet individual i perceptimit politik të pozicionit. Është e pamundur të themi që njerëzit janë të shkëputur nga influencat politike, është e pamundur. Ndryshe do të bëheshim qesharakë në këtë lloj diskutimi, por me një frymë të re që sot jemi të detyruar që ta përqafojmë, por që gradualisht, hap pas hapi, është një proces që bëhet ditë pas dite”,- tha kreu i shtetit duke kërkuar që politika të mos ndikojë mbi drejtësinë dhe gjyqtarët të mos mbajnë qëndrime politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›