E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria: Si u krye mashtrimi nga Damir Fazlliç

Publikohet skema e pastrimit të 1.7 milionë eurove nga miku i kryeministrit Berisha nëpërmjet blerjes në Porto Romano

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka paraqitur dje në gjykatë të gjitha arsyet për sekuestrimin e shoqërive dhe llogarive bankare të mikut të kryeministrit Berisha, Damir Fazlliç. Dy prokurorët Besnik Cani e Dritan Rreshka për 30 minuta lexuan dhe parashtruan të gjitha argumentet e kundërshtimit të kërkesës së mbrojtësve ligjorë të serbo-boshnjakut Fazlliç për lirimin nga sekuestrimi të pasurisë dhe shoqërive që drejtohen nga personi nën hetim brenda territorit shqiptar. Sipas prokurorëve, Damir Fazlliç nën emrin e kompanive të tij “Croën Acquisition” sh.p.k. të cilën ia shiti më pas kompanisë së tij me seli në Qipro “Altarie Reserach Limited” dhe kompania “Alfa” sh.p.k ka blerë dy prona në fshatin Rini të komunës së Porto Romanos në Durrës me një vlerë të deklaruar që kap shifrën e 1.7 milionë eurove.

“Nga verifikimet dhe hetimet e kryera gjatë këtyre tre muajve, ka rezultuar se të dyja këto kompani të sekuestruara “Croën Acquisition” sh.p.k. dhe “Alfa” sh.p.k nuk zotërojnë asnjë kapital bankar, përveç regjistrimit të themelit që kap shifrën 10 mijë lekë të reja. Dhe që nga dita e hapjes së këtyre kompanive, shoqëritë e drejtuara nga personi nën hetim, Fazlliç, nuk kanë kryer asnjë aktivitet biznesi deri më sot duke qenë kompani pasive. Kështu, që përfundimi i këtyre hetimeve tremujore ngre dyshime të forta se në këto transaksione bankare të shitblerjes së kompanive kanë qenë shitje fiktive, që përbën një nga elementët e kryerjes së veprës penale të “pastrimit të parave”-tha prokurori Cani. Sipas tij, rezulton që paratë të kenë kaluar jashtë sistemit bankar dhe shumat kanë ardhur nga burime të tjera. Gjithashtu, prokurori i çështjes vuri në dukje se blerja e këtyre dy pronave në Porto Romano që kap shifrën rreth 16 hektarë tokë është bërë me para në dorë, duke anashkaluar pagesat e tatimeve mbi vlerën e shitjes dhe detyrimet e tjera ndaj shtetit shqiptar. Ndërkohë, prokurori Cani nuk harroi të përmendë edhe pronarët e kompanisë qipriotë “Altarie Reserach Limited”, që sipas hetimit, rezulton se në këtë kompani janë disa aksionerë mes tyre shtetasi Damir Fazlliç dhe pronari i kompanisë “Rudnup”-it të Austrisë Llazareviç ku qeveria shqiptare blen energjinë elektrike. Ky saktësim i prokurorisë, hedh poshtë edhe pretendimet e kryeministrit Berisha se “serbo-boshnjaku Fazlliç nuk ka marrë asnjë qindarkë nga buxheti shtetëror”, që në bazë të dokumentacioneve të sekuestruara rezulton se pronari i Rudnap-it Llazareviç është bashkëpronar tek kompania qipriote që ka blerë 16 hektarë tokë në Porto Romano.

Në fund të fjalës së tij, prokurori Cani duke i dorëzuar gjykatësit Artan Broci, të gjitha argumentet pro sekuestrimit të pasurisë së shtetasit serbo-boshnjak Damir Fazlliç, u shpreh se nga Shqipëria personi nën hetim ka transferuar nëpërmjet një kompanie serbo-boshnjake në drejtim të një banke në Zyrih të Zvicrës shumën prej 1 milion e 500 mijë euro dhe 450 mijë euro vetëm pak kohë para se prokuroria të niste hetimet për pastrim parash. “Transferimi i shumës 1.5 milionë euro është kryer gjatë muajit shkurt, qershor dhe gusht në tre këste, ndërsa transferimi i katërt i shumës prej 450 mijë euro është kryer gjatë vitit 2008 pak kohë para fillimit të hetimit ndaj shtetasit Damir Fazlliç”,- tha prokurori Cani, duke shtuar se hetimi për çështjen dhe sekuestrimi i tyre është bërë pas denoncimit të fakteve dhe dokumenteve të publikuara në mediat e ndryshme në vend me qëllim bllokimin e tyre për mos tjetërsim. Ndërkaq, burimet zyrtare por të rezervuara pranë prokurorisë saktësuan se në drejtim të shteteve si Qipro, Bosnja dhe Zvicra janë dërguar letër-porositë për verifikimin e këtyre transfertave bankare të kryera nga dhe nëpërmjet Shqipërisë. Gjithashtu, në seancën e djeshme gjyqësore u konfirmua se ortakja ligjore e vajzës së kryeministrit, avokatja Flutura Kola, ka dëshmuar në prokurori se të gjitha procedurat e përfaqësimit që ajo ka bërë për kompaninë qipriote “Altarie Reserach Limited”, janë kryer nga vetë personi nën hetim Damir Fazlliç dhe ajo vetëm kishte firmosur në ditën e shitblerjes së kompanisë po me pronar personin në hetim Fazlliç “Crown Acquisition” sh.p.k. Gjyqtari Broci, pas dëgjimit të argumenteve të akuzës në lidhje me arsyen e sekuestrimit të kësaj pasurie dhe kërkesa e mbrojtjes për kohë që të shprehen në lidhje me pretendimet e tyre, vendosi të ndërpresë seancën gjyqësore për të vazhduar në janar të vitit 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›