E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delijorgji kërkon pronat në Strasburg

Arkitekti i Gërdecit kërkon nga gjykata që të hiqet sekuestroja e vendosur mbi pasuritë e tij nga prokuroria

TIRANË- “Arkitekti” i shpërthimit të municioneve në Gërdec, Mihal Delijorgji, ankohet në Gjykatën për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Strasburg për sekuestrimin e pronave dhe llogarive bankare të tij nga Prokuroria e Përgjithshme. Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Ministrisë së Jashtme, konkretisht pranë përfaqësuesit ligjor të shtetit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut. Ndërkohë, ky lajm është konfirmuar jo zyrtarisht edhe nga avokatët mbrojtës të të pandehurit, të cilët i janë drejtuar me një kërkesë Gjykatës së Strasburgut për heqjen e masës së sekuestros. Sipas ankuesit Delijorgji, kërkohet që Prokuroria e Përgjithshme të lirojë pasurinë e sekuestruar në Durrës, Korçë dhe Tiranë. “Kundërshtojmë sekuestrimin e pasurisë së pronave në Durrës që kapin shifrën e rreth 18 mijë metrave katrorë truall e sipërfaqe, ku janë të vendosura magazinate shoqërisë që ai drejton për përpunimin e hekurit dhe çelikut. Si dhe pronat në Tiranë që janë apartamente e truall që kapin një sipërfaqe prej rreth 11 mijë metra katror. Gjithashtu pjesë e kërkesës për heqjen e sekuestros janë edhe llogaritë bankare të tija dhe pjesëtarëve të ngushtë të familjes që kapin shifrën totale rreth 900 mijë euro. Sipas akuzës, i pandehuri Mihal Delijorgji, Dritan Minxholi dhe Ylli Pinari, akuzohen për “vrasje në rrethana cilësuese të më shumë se një personi në bashkëpunim”, ndërsa ish-Ministri i Mbrojtjes po hetohet për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” për shpërthimin e fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec ku humbën jetën 26 persona dhe mbi 300 të tjerë u plagosën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›