Burgimet e padrejta, Financat shqyrtojnë 116 raste
TIRANË – Burgimet e padrejta vazhdojnë të jenë ende shqetësuese për shoqërinë dhe financat shqiptare. Qytetarë që vuajnë një kohë të gjatë në ambientet e burgut dhe kanë arritur që të provojnë pafajësinë e tyre, kanë arritur që të përfitojnë nga gjykata edhe dëmshpërblime të konsiderueshme në vlerë monetare. Gjatë vitit 2008, sipas burimeve të Ministrisë së Financave, janë çuar pranë degës së thesarit të kësaj Ministrie për ekzekutim 116 raste. Shuma totale e përllogaritur për këtë vit që kjo Ministri do t’u depozitojë këtyre qytetarëve është rreth 76 milionë lekë të reja. Po të krahasohet me shifrat e viteve të mëparshme, shihet se gjatë këtij viti shuma që shteti duhet t’i paguajë është në një nivel shumë herë më të lartë. Për vitin 2007, janë ekzekutuar nga Ministria e Financave 100 raste, me një shumë prej 76.002 lekë të reja. Për vitin 2006 janë ekzekutuar 81 raste me një shumë prej 97.157 lekë të reja. Ndërsa në 2005 janë ekzekutuar 73 vendime me një kosto prej 114.282 lekë të reja. Ka pasur edhe raste që për arsye të ndryshme ekzekutimi i vendimit nuk është kryer në kohën e duhur, duke e shtyrë atë për vitin pasardhës. Ndoshta ky mund të jetë edhe një faktor i cili ka ndikuar që shuma totale në lekë për ekzekutim të jetë shumë herë më e lartë krahasuar me vitet e kaluara. Duhet theksuar se përfitime nga burgime të padrejta kanë pasur ndër vite edhe emra të njohur, si Arben Sefgjini, Avni Koldashi, të cilët akuzohen për rrëmbimin e biznesmenit Remzi Hoxha, apo edhe emra si Arben Prifti, Jugin Balliu etj. Shumë qytetarë i drejtohen gjykatës për të përfituar në vlerë financiare nga dega e thesarit. Gjykata vendos nëse do ta pranojë ose jo shqyrtimin e një çështjeje të tillë.