E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përdhunoi e torturoi studenten, pranga 23-vjeçarit

PRANGOSJA/ Policia ka arrestuar Edmond Taullain, vëllanë e një prej anëtarëve të bandës së Lul Berishës

Vajza ka mundur të shpëtojë pas disa ditësh dhune dhe me prindërit e saj i është drejtuar dyerve të komisariatit

DURRËS – Vihet në pranga Edmond Taullai, vëllai i Indrit Taullait (anëtar i bandës së Durrësit). Prej tri ditësh policia e Durrësit po kalonte në sitë shumë lagje e zona të qytetit. Mobilizimi i bluve u bë pas një denoncimi që kishte bërë një studente për rrëmbim e mbajtje me dhunë, si dhe kryerje të marrëdhënieve seksuale nëpërmjet përdorimit të torturës. Shtetësja nga Durrësi ishte studente dhe banonte në Tiranë në një shtëpi me qira. Ajo kishte njohje me 23-vjeçarin Edmond Taullai, banor i lagjes 18 të qytetit të Durrësit , i cili e ka marrë dhe për disa ditë me radhë e ka mbajtur të izoluar në një banesë që e kishte në dispozicion në plazhin e Durrësit, lagjja nr.13.

Ngjarja

Edmond Taullai, sipas të dhënave, e ka marrë dhe e ka izoluar vajzën në shtëpinë e plazhit. Pasi ka kaluar disa ditë nën “shoqërinë” e dhunës seksuale sistematike dhe të rrahjeve të pamëshirshme që i bënte pas kërkesave me të qara për ta lënë të lirë, Edmondi ka menduar që ta transferojë në zonën ku kishte banuar edhe vetë dhe ku besonte se ishte më i sigurt. Nën trysninë e kërcënimeve, sipas deponimeve në polici të vajzës, e ka marrë me një mjet dhe e ka transportuar në zonën e Spitallës, pranë një liqeni artificial, ku kishte një banesë të tijën. Vendi i ri ishte më i fshehur sesa i plazhit, pasi edhe lëvizjet janë më të rezervuara dhe zona ka futje në thellësi nga aksi kryesor i rrugës Durrës - Porto Romano. Edhe në mjediset e reja të shtëpisë së Spitallës ka vazhduar dhuna e përsëritur ndaj studentes së mbetur në kurthin e marrëdhënieve dashurore mashtruese. Rrahjet kanë qenë të vazhdueshme dhe kërcënimet në momentet e dhunës kanë qenë nga më të egrat. Në përpjekje për të mbijetuar, me gjithë peshën e rëndë të rrezikut që po përballonte, siç edhe ka deklaruar në polici, ajo ka gjetur një moment kur ndodhej jashtë vëzhgimit të rrëmbyesit të saj dhe është drejtuar për në shtëpi. Ndërkohë, familja e studentes është shqetësuar për mungesën e bisedave telefonike me të bijën dhe po e kërkonte, pasi kishte rreth 3 ditë që shkolla e lartë i kishte mbyllur dyert e fakulteteve dhe vajza nuk ishte bërë e gjallë.

Arrestimi

Vajza nën shoqërinë e prindërve, të cilët e kanë parë të shpërfytyruar nga keqtrajtimi disaditor, nga dhuna seksuale dhe rrahjet e pamëshirshme që i kishin mbetur të stampuara në trup, i janë drejtuar policisë ku dhe kanë bërë denoncimin. Më pas policia ka konstatuar se personi në fjalë ishte i vëllai i Indrit Taullait, anëtar i bandës së Lul Berishës dhe ishte dënuar edhe më parë. Nëpërmjet agjentëve të policisë është përcaktuar saktë vendndodhja e banesave të përdorura si qendra të strehimit ku u mbajt nën sekuestër vajza dhe në rrugë operative u kërkua që të gjendej personi i akuzuar për rrëmbimin dhe dhunën seksuale nën torturë të saj për disa ditë me radhë. Masat kanë qenë të rrepta dhe nën sitë u kaluan të gjithë personat kontigjent, madje falë kësaj krehjeje rigoroze të të gjithë territorit të Durrësit ku kishte dyshime, janë kapur edhe persona të tjerë në kërkim për krime te ndryshme. Kanë qenë orët e pasdites kur agjentët kanë arritur që ta përcaktojnë se ku ndodhej Edmond Taullai dhe atëherë forcat blu të Durrësit në mënyrë të papritur, kanë arritur ta vënë në pranga.

Nën mbrojtje studentja

Studentja e dhunuar është dërguar menjëherë pas denoncimit në Spitalin Rajonal të Qarkut të Durrësit dhe ndodhet në gjendje të traumatizuar psikike e fizike. Mjekët po e mbajnë nën vëzhgim të vazhdueshëm, por edhe policia e ka vënë nën mbrojtje për shkak të frikës së hakmarrjes së mundshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›