E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, mbyllet bojkoti i avokatëve

Gjirokastër- Pas një bojkoti gati një mujor të të gjitha seancave gjyqësore, Dhoma e Avokatëve në Gjirokastër ka vendosur rifillimin normal të aktivitetit. Vendimi është marrë sot, gjatë një takimi të përfaqësuesve, ku është përcaktuar dita e hënë si dita e fillimit normal të punës së tyre.

Sipas kryetarit të kësaj dhome, Arjan Sotiri, pas kontakteve të marra me drejtorinë e policisë së qarkut Gjirokastër është konfirmuar fakti se janë gjetur autorët e arrestimit të padrejtë të avokatit Bernard Aliko, në kohën që policia ishte në kërkim të një personi që i fshihej drejtësisë.

Bojkoti i avokatëve nisi në datën 8 shtator pas arrestimit të njërit prej anëtarëve të saj(Alikos) pa asnjë arsye ligjore. Gjatë gjithë kësaj kohe, asnjë avokat nuk ka marrë pjesë në seancat gjyqësore, duke krijuar probleme që kanë sjellë shtyrjen e vazhdueshme të gjyqeve.

Pas arrestimit, Aliko ka bërë padi penale pranë Prokurorisë dhe kërkesa e avokatëve ishte shkarkimi nga detyra i drejtorit të policisë, Arben Hysenaj. Mësohet se autorët e ndalimit të avokatit dhe personat që kanë urdhëruar këtë arrestim tashmë do të përballen me drejtësinë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›