Vlorë, tensione e debate për 6 kuti votimi
Partia Socialiste ka marrë në qytetin bregdetar 6 deputetë, PD 4 deputetë, ndërsa PBDNJ dhe PDI nga një deputet
VLORË - Vëmendja e djeshme në Vlorë u përqendrua në KZAZ 61, ku kryhej numërimi i votave për Bashkinë e Vlorës. Ndërsa dy KZAZ të tjera kishin mbyllur numërimin prej orëve të mbrëmjes së të hënës, në pallatin e sportit grupet e numërimit kanë vijuar procedurat.
Shumë herë numërimi është ndërprerë, aspak për shkak të kontestimeve, por për arsye të lodhjes që dukej te grupet e numërimit, ndërsa rreth orës 02:00 numëroheshin të pahapura edhe 20 kuti të tjera. Pasi kanë kaluar edhe orët e natës në proces numërimi, komisionerët kanë nisur debatet tek 6 kutitë e fundit.
Disa prej tyre kanë ngritur pretendimin se materialet e procesverbaleve kanë qenë së bashku me fletët e votimit dhe në dy prej kutive vulat e komisionit nuk kanë korresponduar me vulat e qendrave të votimit. Kutitë kanë ndezur debate mes grupeve të numërimit, madje edhe kundërshti mes përfaqësuesve të PD-së dhe PS-së, pasi këta të fundit kanë pretenduar se kutitë mund të ndikonin në raportin e mandateve.
Deri në orët e mëngjesit PS-ja numëronte në KZAZ nr 61, pa gjashtë kutitë e fundit, 18391 vota dhe PD 10089 vota. Duke parë tensionet e krijuara komisioni i KZAZ ka marrë vendimin e pezullimit të numërimit, për t'u kthyer disa orë më pas në marrjen e vendimit se si do të veprohej me kutitë e fundit.
Rreth orës 15:00 ka rinisur numërimi. Situata është përcjellë fare e qetë, pasi duket se orët në dispozicion u kanë vlejtur të gjitha kampeve pretenduese për të bërë edhe llogaritë e për të hequr dorë nga pretendimet. Kutitë nuk kanë pasur numrin e duhur për të ndryshuar mandate, të cilat për Vlorën rezultojnë 6 Partia Socialiste, 1 PBDNJ, 4 Partia Demokratike dhe 1 PDI.