E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, në rrezik, tetë monumente

Gjirokastra dhe Berati vazhdojnë të mbeten në fokus të Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, si qendra të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Edhe për vitin 2009, puna restauruese e një pjese të mirë të buxhetit është e përqendruar në këto dy qytete. Përveç projekteve të nisura gjatë 2008-ës, këtë vit, në qytetin e Gjirokastrës, do të ketë ndërhyrje në tetë shtëpi karakteristike me vlera të mëdha të trashëgimisë kulturore. Sipas vlerësimit të ekspertëve, këto shtëpi paraqesin një rrezikshmëri të lartë ndaj edhe është i nevojshëm një restaurim i menjëhershëm. Sipas Olsi Lafes, drejtor i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore për vitin 2009, nga buxheti i shtetit janë planifikuar rreth 70 milionë lekë investime në Berat e 43 milionë lekë investime të tjera të përqendruara në qendrën historike të qytetit të Gjirokastrës. Në qytetin e gurtë, këto investime do të përqendrohen në hidroizolimin e kalasë së Gjirokastrës, punime të tjera në Pazarin karakteristik, si dhe restaurime e konsolidime në disa banesa karakteristike gjirokastrite. Duke ndjekur këtë linjë, Valter Shtylla, drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës, thotë se ky fond i 2009-ës i shkon tetë objekteve në rrezik, të evidentuara nga ekspertiza. "Megjithatë, rrezikshmëria e tyre nuk është në atë stad sa të mendohet se nuk mund të ndërhyhet më në restaurimin e tyre. Banesat në fjalë, duke qenë se janë të larta, shpesh dëmtohen në katin e sipërm, katet e tjera nuk janë të prekura. Në të tilla raste, ne ndërhyjmë menjëherë në rikonstruksionin e tyre, duke bërë një kompozim të banesës", shprehet Shtylla. Ndërkaq, edhe për këtë vit, në restaurimet që kanë nisur të zhvillohen në Gjirokastër, vazhdojnë të mbeten në fokus qendra historike, rrugët e fasadat, por edhe shtëpia e shkrimtarit Ismail Kadare, Babaramos, Çabejt, Hani i Zagorisë, etj., një investim thelbësor për të gjithë qytetin me vlerë 24 milionë lekë. "Trajtimi i vlerave të trashëgimisë kulturore në Gjirokastër është një problem, të cilit po i jepet zgjidhje jo pa vështirësi. Një nga problemet kryesore që ne vazhdojmë të trashëgojmë ende është se pas viteve ‘90, në qytetin e Gjirokastrës, investimet që e kryera kanë qenë minimale. Këtë gjendje ne po mundohemi ta vëmë në vend. Një tjetër problem që vazhdon të shfaqet ende në Gjirokastër mbetet ai i pronësisë së banesave. Ky është një fakt shumë i prekshëm e shumë i vështirë për t‘u kaluar, jo vetëm për faktin se ato kanë vlera monumentale, por sepse shpeshherë shfaqen edhe bashkëpronarë. Është e vështirë të ndërhyhet në të tilla objekte", tregon Valter Shtylla.

170 milionë e dhjetë herë më shumë

Restaurimet në këto zona të rëndësishme të trashëgimisë kulturore janë vlerësuar nga buxheti i shtetit 170 milionë lekë të reja. Në këto shifra nuk përfshihet asnjë donacion apo kontratë tjetër, këto të fundit janë financime ekstra, të cilat kombinuar me buxhetin e shtetit, sipas drejtorit të Drejtorisë së Trashëgimisë në MTKRS, Olsi Lafe, e tejkalojnë mbi dhjetë herë fondin e lëshuar nga buxheti i shtetit.

Për zhvillimin e turizmit

Përpos problemeve të përmendura më sipër, IMK dhe MTKRS, kanë vendosur që të ndërhyjnë në Gjirokastër e Berat, edhe sepse këto dy qytete kanë ndikim të drejtpërdrejtë në turizëm, pas shpalljes së tyre pasuri botërore të mbrojtura nga UNESCO. Sipas të dhënave, gjatë vitit 2007-2008 është ndier një rritje e intensitetit të turizmit kulturor. Për këtë arsye, në qytete kufitare siç është Gjirokastra, jo vetëm MTKRS e IMK, por edhe organizma ndërkombëtare që veprojnë aty, siç është UNESCO, janë të interesuara të stimulojnë ndjeshëm turizmin ndërkufitar dhe turizmin tranzitor. "Me interes është të theksojmë faktin se pas këtyre të dhënave është sensibilizuar në mënyrë të ndjeshme edhe opinioni ndërkombëtar e ai vendas, për të ruajtur dhe mbrojtur këtë trashëgimi të rëndësishme kulturore. Nga analizat që ne po zhvillojmë në terren vëmë re se, pas këtij viti, është ulur edhe numri i abuzimeve e shkeljeve ligjore. Banorët vendas janë lidhur organikisht me itineraret kulturore. Në qytetin e Gjirokastrës, sikurse edhe në qendrën historike të Beratit, ka nisur në mënyrë të gjallëruar turizmi familjar", shton më tej drejtori i IMK-së.

Brigadat e mirëmbajtjes

Instituti i Monumenteve të Kulturës në bashkëpunim me Këshillin Kombëtar të Restaurimeve ka nisur kryerjen e një reforme në strukturën e trashëgimisë kulturore. Kjo reformë ka të bëjë me krijimin e brigadave të mirëmbajtjes në të gjithë territorin shqiptar. Në këtë kuadër, Gjirokastra, e cila është mjaft e pasur me monumente kulture, i ka tepër të nevojshme këto brigada. Shtylla shprehet se burimet njerëzore janë të mjaftueshme dhe të përgatitura për krijimin dhe funksionimin e këtyre brigadave. "Ata janë integruar në projektimin e restaurimit. Ne kemi thithur kuadro të reja dhe po inkorporohen në hartimin e projekteve", thotë ai.

Infrastruktura

Edhe këtë vit, infrastruktura mbetet një nga prioritetet në fushën e kulturës. Institucioni më i lartë i kulturës ka hyrë në tratativa e për pasojë ka marrë zgjidhje edhe trajtimi i rrugëve që të çojnë drejt monumenteve të kulturës. Drejtori i Institutit të Monumenteve, Valter Shtylla, tregon se gjatë vitit 2009 mendohet të përfundojë rruga që të çon në Kalanë e Drishtit, ajo që të çon në qendrën antike të Antigonesë, si dhe ajo që të çon në Finiq.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›