Piratët shumëfishojnë spektaklin e "Top Channel"
Në të gjitha videotekat në Tiranë dhe rrethe gjen pa shumë mundim emisionin e fundit të spektaklit "Portokalli", të sezonit të kaluar. "Alo mirmroma!", spektakli që transmetoi "Top Channel" natën e ndërrimit të viteve 2008-2009, shitet në çdo videotekë me çmime të ndryshme. Shiten me DVD të thjeshta, të futura nëpër zarfe letre, por edhe në kuti me fotografi nga spektakli. Çmimet janë të ndryshme, ato variojnë nga 600 deri në 800 lekë të reja. I gjithë shou është i ndarë në dy pjesë, duke qenë se programi ka zgjatur për rreth pesë. Materiali filmik mban logon e televizionit "Top Channel", por në asnjë kopje të këtyre DVD-ve që qarkullojnë në treg, nuk gjendet emri apo adresa e kompanisë që i ka hedhur në treg. Gazetarët e "Fiks Fare" i gjetën këto DVD që shiteshin hapur në disa videoteka në disa qytete të vendit. Në Fier, për shembull, ky spektakël serviret në format VHS, pasi e kanë të vështirë që ta shumëfishojnë në DVD. Vetë shitësit thonë që është regjistruar në kushte shtëpiake dhe më pas është shumëfishuar. Por çmimi është 1600 lekë për të gjithë shoun. Ndërsa në qytetin e Lushnjës gjen jo vetëm shoun "Alo mirmroma", por edhe një përmbledhje të puntatave të Portokallisë, të transmetuara gjatë vitit 2008. Kur pyet se përse DVD-të kanë cilësi jo të mirë, shitësit përgjigjen se nuk janë hedhur në treg nga "Top Channel", por janë shumëfishuar nëpër studio private, nga ku edhe janë marrë dorazi. Në Kavajë, një shitës na tregon se ia kanë çuar nga studiot e "SuperStar". Madje nëse të dalin me defekt, ata marrin përsipër edhe zëvendësimin e kasetave. Edhe në Durrës, po kështu ndodh. Ndërsa në Tiranë, këto kaseta shiten fshehurazi. Nëse kërkon shoun e Portokallisë së fundvitit në videotekat e Tiranës, ato i shesin me frikë. Këto kopje, shitësit i mbajnë poshtë banakut. Megjithëse tregu është i mbushur me DVD pirate, askush nuk kujtohet që të ndëshkojë personat që i kanë hedhur në treg dhe i shesin. Drejtori i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve, z. Altin Goxhaj, tregon se në këtë rast kemi disa shkelje ligjesh. "Sa e merr në dorë këtë DVD, këtu mungon kushti i parë që ka Ligji Shqiptar i Konsumatorëve, që përcakton etiketimin, i cili duhet të ketë përcaktimin e mallit, duhet të jetë adresa e fabrikuesit ose e importuesit, duhet të jetë marka dhe shenja dalluese e fabrikuesit, adresa dhe të dhënat e tij. Këtu ne kemi dhe një shkelje tjetër teknike, pasi nuk ka as faturë shitjeje. Në këtë moment, ky produkt tregtohet në mënyrë të paligjshme", thekson drejtori i ZMK-së.