E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, ngrihet drejtoria e Kufirit

 
 
 
GJIROKASTËR- Gjirokastra i është bashkuar shtatë qarqeve të tjera në vend, në të cilat paralelisht me Drejtoritë e Policive të Qarqeve do të funksionojnë edhe Drejtoritë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit. Vendimi i Ministrisë së Brendshme, në kuadrin e përmirësimit të efektivitetit të forcave kufitare në luftën kundër trafiqeve të ndryshme është bërë realitet ditën e djeshme, kur edhe është bërë përurimi i Drejtorisë Rajonale të Kufirit në Qarkun e Gjirokastrës. Sipas drejtorit të policisë së qarkut, Hysni Burgaj, kjo strukturë do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin dhe goditjen e trafiqeve të çfarëdollojshme nga të dy anët e kufirit.
Ndërsa nga ana tjetër, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kufirit, Vasil Valera, ka premtuar rritje të efikasitetit të kësaj strukture në luftën pa kompromis ndaj trafiqeve të ndryshme. Drejtoria Rajonale e Kufirit do të ketë në varësi të plotë sektorin e emigrimit, GOS-in dhe efektivat që militojnë në të. Ndërsa Pikat e Kalimit Kufitar në të gjithë Qarkun do të quhen prej ditës së djeshme Stacione të Policisë Kufitare. Vasil Valera deri para dy ditësh ka mbajtur postin e zëvendësdrejtorit të Policisë së Gjirokastrës. Para kësaj detyre ai ka qenë shef i zyrës së rendit dhe sigurisë publike në Gjirokastër. E.Bani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›