Tregu i Shkodrës, mes baltës dhe pluhurit
Tregtarët: Jemi taksapagues të rregullt, por deri tani nuk kemi parë asnjë investim në treg
Shkodër-një mijë tregtarët që ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregun, pranë stadiumit "Loro Boriçi", në qytetin e Shkodrës dhe mijëra qytetarë që marrin shërbime, kanë kohë që shprehen të pakënaqur për infrastrukturën e tregut. Rrugë të pa asfaltuara, plot pluhur e baltë, vështirësi lëvizjeje, mbeturina që hidhen në mes të sheshit ku parkohen automjetet dhe rrëmujë pa fund. Kjo është gjendja që ndesh përditë në një nga tregjet më të mëdha të Shkodrës. Ky treg, përveçse në shërbim të qytetarëve është dhe pranë rrugës ku ndodhet muzeu i qytetit, një prej objekteve të përfshirë në axhendën turistike të çdo vizitori të huaj. Sipas tregtarëve që punojnë aty, autobusët e turistëve nuk kanë as vend ku të kthehen, pa folur për befasinë e tyre kur shohin gjendjen ku ndodhet ky treg, ndërsa nuk mungojnë as rastet kur ata fotografojnë një ambient të tillë. Mungesa e infrastrukturës së tregut shoqërohet dhe me rrethimin e një sipërfaqeje toke, dikur lulishte. Toka, sipas tregtarëve është pronë e myftinisë, por kësaj nuk i jepet leje për të ndërtuar. E gjithë kjo sipërfaqe, shoqëruar dhe me praninë e mbetjeve urbane e inerte në të, është e rrethuar dhe e pashfrytëzuar, duke e vështirësuar lëvizjen në atë pjesë dhe duke mos prezantuar asgjë estetike e normale për një qendër qyteti. Njëri prej tregtarëve që ka aktivitetin e tij këtu, Met Neziri, shprehet se të gjithë ato që punojnë këtu janë taksapagues të rregullt prej vitesh, por deri tani askush nuk ka investuar për të rregulluar infrastrukturën e tregut më të madh të këtij qyteti.