Prokurorja belge merr në pyetje 33-vjçarin
Aleks Prifti nga Kuçova është i dyshuari kryesor për 600 vjedhje dhe tentativë vrasjeje në Belgjikë
BERAT-Prokurorja belge ka marrë dje në pyetje të burgosurin Aleks Prifti, i dyshuari kryesor për 600 vjedhje dhe një tentativë vrasjeje në Belgjikë. Një bashkëpunim mes prokurorisë të Përgjithshme dhe asaj Belge si dhe mes dy policive të interpoleve të dy shteteve ka sjellë në paraburgimin e Beratit një grup prokurorësh, të përfaqësuar nga një prokurore dhe dy oficerë të policisë gjyqësore të shtetit belg. Sipas burimeve të besuara, 33-vjeçari, banor i qytetit të Urës-Vajgurore është marrë në pyetje përpos dyshimeve për vjedhje edhe për tentativën e vrasjes së një 80-vjeçareje, të cilën e ka lidhur me rripa dhe litar para se ta vidhte. Mësohet se ditën e parë i burgosuri nuk ka pranuar të flasë. Ai është mbrojtur nga avokati i tij, në çështjen penale të fundit ku dhe ka marrë dënimin me 2.5 vjet burg, për vjedhjen në bashkëpunim të 67 milionë lekë bizhuterive të florinjta, në një dyqan shitje në Kuçovë. Seanca e pyetjeve mësohet të ketë zgjatur 6 orë, ku prifti ka pranuar të përgjigjet për prokuroren belge. "Për këtë shtetas do të vijojnë hetimet"- sqarojnë burimet, duke pranuar se në shumë raste vjedhjesh, kanë rezultuar shenjat e 33-vjeçarit. Por, ai nuk ka pranuar asnjë rast të tillë dhe madje ka shtuar se nuk ka asnjë element kompromentues kundër tij. Ndërkohë në shtëpinë e tij është bërë një kontroll dhe është sekuestruar një makinë pa targa dhe disa mallra të tjera. Grupi i prokurorëve do të hetojë dhe në fund do të përpilojë dosjen në ngarkim të tij, nëse është apo jo përgjegjës për akuzat.