"Mjekët grekë lanë time shoqe të vdiste për 300 euro"
VDEKJA NË SPITAL
Pas varrimit të gruas që vdiq disa ditë më parë në spitalin grek, reagon bashkëshorti i saj, Thanas Gjika. "Mjekët grekë e lanë një orë vetëm"
SARANDË- Përcillet për në banesën e fundit shqiptarja që gjeti vdekjen pak ditë më parë në Greqi si pasojë e pakujdesisë së mjekëve. Antoneta Isaraj, nëna e katër fëmijëve, vdiq disa orë pas lindjes, e braktisur nga mjekët grekë në një prej shtretërve të spitalit të ishullit të Samosit. Dhe për këtë vrasje, në një intervistë, bashkëshorti i saj, Thanas Gjika, ka akuzuar sërish mjekët grekë se e kanë lënë 29-vjeçaren të vdesë për 300 euro që donin prej tij.
Zoti Gjika, si ndodhi ngjarja e vdekjes së gruas suaj?
Antoneta kishte lënë vizitëme mjekun e saj dr. Nikos Asiminas, për të parë edhe një herë gjendjen shëndetësore, pasi po afronin ditët e lindjes. Mjeku që e ndiqte barrën në gjithë ecurinë e saj nuk ishte aty por kishte shkuar në Athinë. Nuk kishte asnjë problem shëndetësor, ndjehej shumë mire. Në spital Antoneta gjeti dy mjekë të tjerë dhe jo mjekun e saj por vendosi të vizitohej. Mjekët grekë, pas një këqyrjeje të shpejtë i thanë se kishte probleme me mitrën, ndaj duhej operuar menjëherë. Dy mjekët, tek të cilët u paraqit Antoneta, quheshin Haxhijuanos Emanuili dhe Emanuel Apostolu. Spitali në të cilin u operua ime shoqe quhet "Aqis Pandalemonas".
Si e pritët vendimin për operimin e saj?
Me te biseduar me mjekët më mori gruaja në telefon dhe më thotë se duhet të operohem tani. Unë lashë çdo gjë dhe menjëherë shkova në spital. Aty nuk gjeta asnjë doktor pasi kishin hyre në sallën e operacionit. Ime shoqe hyri në sallën e operacionit në orën 14 dhe e nxorën në orën 17 të pasdites. Kur doli mjeku operator e pyeta se çfarë bëhej me Antonetën? Ai më thotë "Kemi ecur mirë, por kemi humbur shumë gjak"Pas gjysmë ore plasi përsëri hemorragji dhe e fusin përsëri në operim. Pra nga ora 17.30 deri në orën 23.00 të natës ajo ka qenë në operacion. Në këtë orë del njëri prej doktorëve dhe më thotë presim të zgjohet. Pas një oree nxjerrin nga salla dhe e çojnë në krevat ku i vendosën një aparaturë të matjes së të rrahurave zemrës dhe tensionit dhe ikën.
Çfarë ndodhi më pas?
Për dhjetë minuta aty nuk kishte më asnjë doktor. Gruaja ime ka qëndruar një orë pa praninë e mjekëve. Kur nuk punonte më asgjë erdhën të gjithë doktorët por atëherë Antoneta kishte mbaruar. Ata më thanë që kishte vdekur dhe nuk mund të bënin më asgjë. Unë kam të gjitha analizat por ende nuk dihet se çfarë ka ndodhur.. Kemi marrë një avokat grek për të ndjekur së bashku me prokurorinë e Samosit çështjen
Si mendoni, përse ndodhi vdekja e gruas suaj?
Vdekja e Antonetës ka ardhur për faj të doktorëve. Për këtë jam i sigurt 100%. Në çastet e fundit, në intervalin pas operimit të parë dhe atij të dytë arrita të flas pak me të dhe më tha "Do më therin prapë, mos më lër të lutem, se do të më vdesin . Më ruaj fëmijët". Jam i sigurt që mjekët këtë skandal e kanë kryer vetëm për para. Ata kanë thënë me vete ta fusim një orë në operim që t'i marrim ca lekë, të marrim 200-300 euro sa do të na japin dhe të ikim. Por nuk ndodhi kështu, Antoneta vdiq. Ndërsa mjekuqë kishte ndjekur barrën u nis urgjentisht nga Athina kur mori vesh se bashkëshortja ime ishte në rrezik. Kur mësoi se ç'kishte ndodhur ai nisi t'i binte kokës me grushte.
Babai: Vajzës do t'i vë emrin e të ëmës
SARANDË- Thanas Gjika ka pohuar dje se tashmë të gjitha shpresat i ka varur tek prokuroria dhe gjykata greke, e cila po merret me këtë çështje. Në Greqi ai ka gjetur edhe mbështetjen e ambasadorit shqiptar në Athinë, Vili Minarollit, i cili u ka premtuar zgjidhje. "Gjykata e Samosit dhe ajo e Athinës, ku kemi kryer autopsinë na kanë ndihmuarsë tepërmi. Po kështu edhe Ambasada jonë në Athinë. Vetë ambasadori shqiptar ishte me ne dje për të na shprehur mbështetjen dhe përkrahjen. Për fat të mirë edhe dy binjakët janë mirë. Vajzës që sapo lindi do t'i vë emrin e të ëmës. Do të jem shumë i lumtur se përditë do ta kem pranë e do t'i flas në emrin e saj",- tha Gjika.
EKSPERTIZA
Mjekët e Samosit fajtorë për vdekjen e 29 vjeçares
GREQI- Hetimet e para në lidhje me vdekjen e 29 vjeçares Antoneta Isaraj kanë treguar se ajo ka marrë mjekime të gabuara dhe mjekët kanë neglizhuar krejtësisht me rastin e saj. Prokuroria lokale i ka kërkuar spitalit të Athinës që të kryejë ekspertizën për të gjetur shkakun e vdekjes së nënës së katër fëmijëve dhe raporti paraprak mjekësor, i hartuar nga spitali i Athinës, fajëson pikërisht bluzat e bardha të Samosit.
Raporti citon se mjeku përgjegjës i spitalit të Samosit dhe grupi i infermierëve të këtij spitali konsiderohen fajtorë për vdekjen e gruas shqiptare. Sipas raportit, mjeku në fjalë nuk është treguar i kujdesshëm për pacienten duke lënë një venë të hapur në operacionin e parë. Edhe në ndërhyrjen e dytë, mjeku përgjegjës qe u zotua se do t'i hiqte pacientes mitrën, serish nuk ka bërë ndërhyrje të sakte dhe si rezultat i kësaj ka ardhur vdekja e pacientes.