E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, pengohet shpërndarja e kartave për simpatizantët e PS

Afro 200 shtetas, të cilët kanë aplikuar për karta identiteti në Qarkun e Gjirokastrës, nuk kanë tërhequr ende letërnjoftimet e reja elektronike. Ky fakt bëhet i ditur nga vetë qytetarët, të cilët enden përditë në zyrat e aplikimeve në bashkitë e Gjirokastrës, Tepelenës, Këlcyrës, Memaliajt, etj si dhe në komunat e të tre rretheve të Qarkut të Gjirokastrës. Ndërkohë, që ky fakt konfirmohet edhe nga burimet konfidenciale nga Prefektura e Gjirokastrës, e cila vëzhgon këtë proces. Mjaft herë, prefekti në detyrë Spiro Ksera, ka apeluar për pajisjen e personave që nuk kanë pasaportë me dokumentin e ri të identifikimit me qëllim që atyre tu jepet mundësia të marrin pjesë në votimet e 28 qershorit. Problem të vonesave janë hasur edhe në Bashkinë e Memaliajt, ku numri i aplikuesve, që e kanë kryer këtë proces prej tre muajsh, por ende nuk e kanë marrë dokumentin e ri identifikues, arrin në 50. Muhamet Lika nga Gjirokastra shprehet se mjaft herë është paraqitur në qendrën e aplikimeve të letërnjoftimeve për të tërhequr kartën e identitetit, për të cilën ka aplikuar tre muaj më parë, por ka marrë përgjigje negative. Në fakt ky shqetësim është përcjellë edhe nga kreu i socialistëve të Gjirokastrës Florian Hysi, i cili mjaft herë ka apeluar për mungesën e seriozitetit nga ana e autoriteteve shtetërore që merren me këtë proces. Sipas Hysit vërehet një tendencë e qëllimshme e vonesës së pajisjes me karta të dhjetëra e qindra personave, që njihen si simpatizantë të PS-së. Kjo sipas tij është një shenjë e dukshme e pushtetit të sotëm, që të minimizojë dukshëm votën e socialistëve në zgjedhjet e 28 qershorit në Gjirokastër, pasi dihet që ky qytet është bastion i deklaruar i socialistëve. Ndërkohë që burimet zyrtare konfirmojnë për gazetën SOT se procesi i pajisjes së shtetasve me karta identiteti vijon me ritme të kënaqshme në të gjitha rrethet e Qarkut të Gjirokastrës. Sipas këtyre burimeve në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, kanë aplikuar rreth 34 mijë persona, 40 % e të cilëve shtetas pa pasaporta. Një numër i madh kartash kanë përfunduar dhe janë tërhequr prej aplikuesve. Ndërkohë para tre ditëve janë çelur zyrat e aplikimit të kartave të identitetit në katër komunat e rrethit të Përmetit duke plotësuar në këtë mënyrë vakumin e trashëguar qysh prej fillimit të këtij procesi të rëndësishëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›