E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në Durrës fton qytetarët të përsërisin fitoren e 22 marsit

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha njëkohësisht dhe kryetari i Partisë Demokratike ishte i pranishëm dje në hapjen e fushatës elektorale në qarkun e Durrësit. Ai u kërkoi qytetarëve durrsakë që të shkojnë në zgjedhjet elektorale të 28 qershorit dhe të votojnë Partinë Demokratike për të përsëritur fitoren e 22 marsit të vitit 1992, duke e quajtur atë "lavdinë elektorale". Në prani të mijëra qytetarëve, kryeministri Berisha bëri prezantimin e 13 kandidatëve për deputetë të këtij qarku, të cilët do të përfaqësojnë PD-në, në garën elektorale të 28 qershorit. "Përulem me nderim për mbështetjen që qytetarët e Durrësit, i kanë dhënë PD-së dhe maxhorancës gjatë këtyre katër viteve, theksoi Berisha gjatë fjalës së tij drejtuar militantëve durrsakë. Ai u ndal tek arritjet e mëdha gjatë mandatit të parë të qeverisjes së tij, duke renditur si më kryesoret anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe përgatitjet për të hyrë në familjen e madhe evropiane. Kryeministri Berisha tha se me forcën e ligjit u shkëputën nga kthetrat e korrupsionit 5 miliardë dollarë në katër vjet, Shqipëria pati dhe rritjen më të lartë ekonomike në Europë, me gjithë krizën globale që ka pushtuar botën. Dyfishimi i rrogave dhe pensioneve, sipas kryeministrit Berisha, ishte një tjetër arritje e madhe e këtyre katër viteve. Kryeministri evidentoi dhe prioritetet për katër vitet e ardhshme qeverisëse nën drejtimin e Partisë Demokratike. "Katër vitet e ardhshme do të kemi një Shqipëri me qytetarë të punësuar, me pensionistë të mirëpaguar, me të rinj të mirëshkolluar, veçoi Berisha. Po ashtu kreu i shtetit përmendi edhe arritje të suksesshme në fushën e turizmit, ku sipas tij vetëm gjatë vitit 2008 në bregdetin shqiptar, nga Velipoja, Durrësi deri në Sarandë kanë pushuar afro 2.7 milionë turistë. Nga 300 mijë që pushuan në vitin 2004, fal përpjekjeve të qeverisë, brenda katër viteve u asfaltuan 6 mijë km rrugë në të gjithë vendin. Vetëm në 6 muajt e fundit në vend po investohen 3.6 miliard euro", shtoi kryeministri Berisha. Rrugën Durrës-Kukës, kreu i qeverisë e vlerësoi si korridorin më të fuqishëm në të gjithë rajonin, që sipas tij është rruga që do ta kthejë Durrësin dhe Vlorën në portet më të fuqishme. Në fund të fjalës, Berisha drejtuar qytetarëve durrsakë premtoi se në katër vitet e ardhshme në Durrës dhe në të gjithë vendin do të investohet katër herë më shumë sesa në mandatin e parë qeverisës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›