E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pukë, kërkohet shtyrja e rifillimit të shkollës

Zonat malore në qarkun e Shkodrës kanë probleme në furnizimin me energji elektrike, por edhe mësimdhënien

SHKODËR – Kërkesë për të mos filluar mësimi dhe probleme me furnizimin me energjinë elektrike. Këto janë “avaritë” që vërehen në zonat malore të qarkut të Shkodrës. Si pasojë e defekteve në rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike, të shkaktuara nga dëbora e stuhitë, në zonat malore të Shkodrës dhe Malësisë së Madhe ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Linja 6 mijë kv e dëmtuar nga stuhitë e borës është vënë në funksion rreth orës 7:00 të së dielës, pas ndërhyrjeve të punonjësve të OSSH-së, duke rikthyer energjinë pas 3 orësh ndërprerje. Kryetari i komunës së Këlmendit, Ndue Lelçaj, u shpreh mëngjesin e djeshëm se janë rreth 3000 banorë të kësaj komune të izoluar, ku nuk përjashtohet mundësia që dhe shkollat të mos hapen të hënën, për të vijuar normalisht mësimin. Sipas drejtoreshës rajonale të arsimit në Shkodër, Atrida Ferketi, të gjitha shkollat e këtij qarku kanë të siguruar ngrohjen, e cila në zonat malore bëhet me dru zjarri të siguruara nga pushteti vendor. Por problem mbeten ato shkolla ku nxënësve u duhet të ecin në këmbë për një kohë të gjatë, të cilat nuk është e sigurt nëse të hënën do të kenë frekuentim të rregullt. Ferketi thekson se mësuesit në zonat e thella malore të Shkodrës janë vendas, por ka shkolla si në Bruçaj, Xhan, Plan, Palaj - Shosh, nxënësit e të cilave i kanë shtëpitë larg shkollës dhe lëvizja e tyre nëpër rrugët me dëborë dhe ngricëtë fshatrave është e vështirë. Ndërsa nënprefekti i Pukës, Dedë Përshpali, kërkoi që përmes prefekturës së qarkut të Shkodrës të kërkohej zyrtarisht në MASH që të shtyhej rifillimi i shkollës për zonat e thella malore të rrethit të Pukës dhe kjo për shkak të pamundësisë së lëvizjes së nxënësve për të shkuar pranë shkollave. Nga 50 shkolla të Pukës, vetëm në tre prej tyre, në Pukë qytet, Fushë-Arrëz qytet dhe Kaftall pritet që mësimi të hënën të fillojë normalisht, ndërsa për të tjerat lëvizja e nxënësve është thuajse e pamundur. Akset rrugore nacionale mbahen nën kontroll, nuk lejohet lëvizja e mjeteve të rënda, si dhe e mjeteve pa zinxhirë, ndërsa po punohet për hedhje skorjesh dhe me borëpastruese, por problemi qëndron tek akset rrugore rurale dhe ato që lidhin fshatrat me njëra-tjetrën. Sipas kryetarit të bashkisë Pukë, Rustem Struga, në këtë qytet ka probleme me mungesën e mjeteve borëpastruese. Nuk ka pasur ndonjë rast emergjence shëndetësore në zonat malore të qarkut të Shkodrës, ndërsa vërehet mungesë mjekësh dhe shërbimi shëndetësor në disa fshatra të thella të Pukës dhe në Vermosh.   -------------------------------------------------MASH pezullon mësimin në 8 qytete

TIRANË - Moti i keq dhe reshjet e shumta të dëborës të rëna ditët e fundit, krahas bllokimit të rrugëve kanë sjellë edhe pezullimin e aktivitetit mësimor në disa zona të cilësuara problematike në vend. Duke parë situatën e rënduar atmosferike, Ministria e Arsimit dhe e Shkencave, ka vendosur të shpallë situatën e emergjencës dhe për pasojë pezullimin e përkohshëm të mësimdhënies në 8 qytete. Kështu duke nisur nga dita e sotme, në qarkun e Dibrës që përfshin qytetet Bulqizë dhe Mat, në rrethet Mirditë dhe Librazhd, mësimi do të ndalë për 3 ditë në të gjitha shkollat, kjo e kushtëzuar si nga moti i ashpër, ashtu edhe nga terreni i vështirë në këto zona. Qarku tjetër ku janë marrë masa për mbylljen e shkollave është ai i Kukësit, ku bëhet e ditur se mëzimi do të pezullohet vetëm në shkollat pranë komunave, ndërsa mësimi do të vazhdojë pranë bashkive të Bajram Currit dhe Hasit. Nga njoftimet që vijnë nga Drejtoritë Arsimore,situatë e rënduar atmosferike është vënë re edhe në rrethin e Pukës. Për këtë arsye, MASH ka vendosur që mësimi në këtë rreth të zhvillohet vetëm në qytetet Pukë e Fushë-Arrëz, ndërsa në të gjitha komunat e këtij rrethi mësimi do të ndërpritet për 3 ditë. E gjithë koha e humbur si pasojë e pezullimit të mësimit, do të kompensohet në ditët e shtuna.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›