E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, probleme në rrugët e komunave

 

GJIROKASTER - Mungesa e investimeve përgjatë vitit 2009 në infrastrukturën rrugore në komunat e Gjirokastrës do të shkaktojë dhe këtë vit probleme. Në shumë akse problematike në këto komuna, nuk është kryer asnjë lloj investimi, përjashto këtu vetëm ndërhyrjet apo mirëmbajtjet e tyre në mënyrë të pjesshme. Për këto të fundit bëhet fjalë kryesisht për komunat e thella malore si Zagorie, Pogon, Dropulli i Sipërm etj, të cilat kanë një infrastrukturë të rënduar dhe në çdo mot të ftohtë me dëborë dhe reshje të shumta shiu, bllokohen duke përcjellë shqetësim për banorët e atjeshëm. Drejtori i Ndërmarrjes së Rrugëve Rurale të rrethit Gjirokastër, Vait Tola, pohon për gazetën “Panorama” se edhe pse janë kryer mjaft ndërhyrje, ka ende shumë rrugë që kanë nevoja emergjente për t’u rregulluar. Kjo ndërmarrje mbulon rreth 117 km rrugë rurale në të gjitha komunat e rrethit, por që vetëm në disa akse janë kryer investime ndërsa pjesa tjetër është parashikuar për vitin e ardhshëm. Infrastruktura rrugore në zonat rurale paraqitet shumë problematike dhe kjo si pasojë e terrenit të vështirë. Me reshjet e para të dëborës apo dhe shirave të vazhdueshëm, këto akse shndërrohen në të pakalueshme duke sjellë probleme në qarkullimin e mjeteve për ditë të tëra.                                   p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›