E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pika e moskthimit

Edmond Arizaj 

Pyetja është e thjeshtë: Kur dhe si do të mbarojë kriza politike? Përgjigjen e kanë në dorë dy njerëz, Sali Berisha dhe Edi Rama. Të gjithë të tjerët, vetëm sa vijnë vërdallë vendimeve të tyre, apo bëhen përforcuesit e deklaratave respektive, pavarësisht në janë apo jo dakord me to.
Pjesa e parë e pyetjes, “kur”, duket e largët, madje shumë e largët. Berisha dhe Rama kanë shkuar aq larg në akuzat ndaj njëri-tjetrit, madje gjasat duket se kanë ende rrugë për të bërë, sa pika e moskthimit duket shumë e afërt. Mund të duket gjithmonë shumë afër, por ndoshta asnjëherë nuk do të ketë një pikë pa kthim, ku këta dy njerëz nuk mund të bëjnë marrëveshje për hir të shkeljes së moralit, parimeve, apo kush e di çfarë tjetër. Berisha dhe Rama kanë pasur për shumë vjet me radhë “ligjin e luftës” ndaj njëri-tjetrit, madje akuzat që sot po artikulohen me ashpërsi si nga njëri krah edhe nga krahu tjetër, nuk janë të padëgjuara nga shqiptarët. Ato të rreshtuara nga Berisha, janë “shtjelluar” gjerë e gjatë, ditë pas dite dikur në një gazetë atë kohë ngjitur me Berishën, sot pranë Ramës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për akuzat e Ramës kundrejt Berishës. Por të dy këta njerëz, i gëlltitën, apo i lanë mënjanë një vit e ca më parë gjithë ç’kishin thënë, gjithë ç’kishin bërë në kurriz të shoqi-shoqit për vite me radhë dhe nënshkruan ndryshimin në Parlament të thelbit të Kushtetutës (votuar në popull) duke mos pyetur për askënd dhe duke i vënë në rresht të gjithë. Pak më vonë, sërish të dy, dakorduan për Kodin Zgjedhor, pavarësisht se disa deputetë, mes të cilëve edhe Nard Ndoka, ishin në grevë urie. Pra këta njerëz, pavarësisht baltës që kanë hedhur mbi njëri-tjetrin, kanë ditur të pastrojnë të paktën dorën kur e kanë zgjatur për marrëveshje interesi reciprok. Por këtë radhë interesi nuk mund t’u kënaqet të dyve, sepse në mes është pushteti. Berisha, vërtetë as mos ta çojë njeri në mendje (ashtu siç është paralajmëruar Rama sa e sa herë para zgjedhjeve, se Berishën nuk mund ta rrëzojë aq kollaj sa e pandehte ai dhe disa që kishte dhe ka rrotull), nuk ta dorëzon pushtetin, edhe nëse ti i bllokon shtetin, përderisa të ketë qoftë edhe një fije kashte ku të mbështetet. Dhe në ndryshim nga 1997, Berisha këtë radhë ka një bazament të palëkundshëm, fare të palëkundshëm, fitoren në zgjedhje, kur rregullat i kishte bërë kundërshtari. Pikë.
Duke adhuruar dhe dashuruar pushtetin, duke pasur edhe një bazament të tillë, Berisha ndihet aq i fortë sa të ndërmarrë edhe kundërsulme dhe aq i qetë sa të shpërfillë çdo kërcënim.   
Është edhe Rama, i cili ka treguar se edhe ai është dashnor po aq i mirë i pushtetit dhe adhurues po aq i denjë i tij. Por Rama nuk kalkuloi shumë gjëra siç duhej dhe për këtë shkak nuk mundi të rrëzonte bindshëm Berishën dhe të merrte në duar frerët e atij pushteti, për të cilin punoi ethshëm shumë e shumë vite. Nëse do t’i bindej vullnetit të votuesve, nëse do të pranonte humbjen, Rama kishte vetëm një rrugë, të shihte të rrëzuar brenda një dite ëndrrën e tij shumëvjeçare dhe bashkë me këtë edhe largimin e tij nga skena qendrore politike, menjëherë pas betejës së parë të vërtetë. Duke mos e pranuar këtë, duke mos e besuar humbjen, duke parë t’i shkasë nga dora pushteti që e shihte aq të afërt dhe aq premtues, Rama rikthehet në identitet, pra në ekstremizëm. Duke kërkuar me çdo kusht t’ia vështirësojë jetën Berishës, Rama fut në lojë gjithkënd që mund ta bindë, që do t’i bindet, apo që e urdhëron.
Dhe vijmë në pikën kur si Berisha dhe Rama sot po tregojnë darët dhe grushtet për shkulje dhe thyerje dhëmbësh, të korrupsionit kuptohet. Rama vijon të hyjë thellë e më thellë në kundërshtimin e tij, duke mbajtur në dorë vetëm një tezë jo dhe aq shpresëdhënëse, siç është ajo e hapjes së kutive dhe duke e mbrojtur këtë tezë me maksimumin e retorikës së tij, si dhe me disa kryetarë partish, që realisht duhet ta pranojë, i prishin punë në elektoratin socialist. Ndërsa Berisha nga ana tjetër as nuk e ka ndërmend të lëshojë pe. Rama kërkon të frymëzojë gjithë Shqipërinë për protesta masive, pavarësisht se s’ka frymë, Berisha nxjerr dosje të fjetura. Dhe të dy, tregojnë derën e prokurorisë. Dhe të dy kanë treguar se nuk para jepen edhe nga këshillat e ndërkombëtarëve, megjithëse shumë po presin njeriun “që do t’u shkulë veshin”. Por në llogari të fundit, koha po punon për herë të parë në një përballje të madhe për Sali Berishën. Gjysmë-deputetët e PS-së kërkojnë të bëhen deputetë. Madje edhe ata më ekstremistët. Sepse kërkojnë përballje me homologët kundërshtarë në sallën e vërtetë dhe jo në rrugën e madhe përkrah kryetarëve të partive që mbeten pa punë nëse PS hyn në Kuvend. Por tek e fundit kërkojnë edhe pak dinjitet. Nga ana tjetër, stërzgjatja e protestave, të çdo lloji, do t’i lodhë (kjo është provuar) edhe ata pak njerëz që vërtetë besojnë se përpjekja e Ramës është për vlerat e demokracisë e të lirisë e të integrimit e të moralit. Nëse nuk ndodh ndonjë mrekulli e çasteve të fundit, nëse nuk ka një marrëveshje mes të dyve, nëse Berisha nuk largohet sepse nuk hap kutitë, nëse vijohet me ashpërsimin e situatës, kjo krizë do të mbarojë së bashku me yllin politik të Edi Ramës. Dhe ai e di këtë, ashtu siç e di, se ylli i tij do të vazhdojë të ndriçojë vetëm nëse vazhdon kriza.
Megjithatë pika e moskthimit ende nuk ka mbërritur, megjithëse askush nuk e di se ku dhe kush është. Të dy palët deri tani kanë kërcënuar njëri-tjetrin me akuza jo të reja dhe jo të padëgjuara. Të dy palët kanë premtuar dhe deri tani i janë përmbajtur fjalës së dhënë se do t’i largohen dhunës. Pra zgjidhjen e kanë akoma në dorë Berisha dhe Rama. Humbja sa më e shpejtë e njërit apo e tjetrit (edhe me marrëveshje, dikush do të humbasë në sytë e elektoratit), është fitorja e shqiptarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›