E Diel, 1 Nëntor 2026

Si nuk duhen zgjedhur akademikët

Artan Fuga 

Në orët që vijnë, shumë shpejt pra, Akademia e Shkencave e Shqipërisë do të mbledhë Asamblenë  e vet për të  pranuar në  gjirin e saj anëtarë  të  rinj. Pavarësisht se është një akt në parim i gëzueshëm, them me bindje, mbështetur në argumente të përsëritura shumë herë, në forma të ndryshme, brenda institucionit, kurdoherë  të  padëgjuara, se procedurat e këtyre zgjedhjeve janë  të  kapërcyera nga koha, tejet të vjetra, të bazuara në modele zgjedhjesh që nuk kanë të bëjnë  me mjediset shkencore, e mbi të  gjitha, që  mund të prodhojnë  jo vetëm padrejtësi.  
Ku qëndrojnë kundërshtitë shumë serioze që paraqes? Po i bëj të njohura paraprakisht që nga njëra anë të mos flas pas faktit të kryer, pra pa dobi shoqërore, dhe e dyta, që të mos e qortoj veten se e ngrita zërin pas procesit të votimit. Pra, sikur nuk e kam pasur hallin te normat, por thjesht te rezultati. Këto që them po i paraqes pra, pavarësisht se cili do të zgjidhet dhe përpara se të dalë rezultati.
Komisioni që ishte ngritur për shqyrtimin paraprak të dosjeve dhe bërjen e një renditje paraprake të kandidatëve,  ku bëja pjesë edhe unë, në planin formal akademik, nuk kishte pothuajse asnjë kompetencë shkencore për t’i shqyrtuar dhe vlerësuar dosjet e paraqitura. Nuk kishte juristë ndërkohë që ka kandidatura nga fusha e jurisprudencës, nuk kishte ekonomistë ndërkohë që ka  kandidatura nga fusha e ekonomisë, nuk kishte psikologë, specialistë të punës sociale dhe sociologë të kulturës,  ndërkohë që ka kandidatura nga këto fusha. Në këto kushte kishin humbur krejtësisht parimet etike të vlerësimit shkencor sepse analiza paraprake e punës dhe e kërkimit e kontributit shkencor do të bëhej nga persona që nuk kanë asnjë kompetencë në fushat përkatëse, ndonëse figura të shkencës shqiptare në fushat e veçanta dhe të kufizuara ku kanë punuar.
Mos harrojmë atë që shkruante dijetari madh Gustav Le Bon një shekull më parë : « Dhjetë akademikë në fushën e tyre janë akademikë, kurse dhjetë akademikë jashtë fushës së tyre të studimit nuk janë më akademikë. »
Duhej sikurse kam theksuar që thirrja për të kandiduar për vendet e hapura në Akademi të përcillej zyrtarisht në të gjitha këshillat shkencore dhe senatet e dekanateve dhe universiteteve të vendit, si edhe të qendrave kërkimore e shkencore të tij. Duhej të bëhej një fushatë publike e gjerë dhe intensive në mënyrë që komuniteti shkencor të njihej me vendet e hapura, fushat dhe kriteret e pranimeve.
Rezultati është se në fushën e jurisprudencës është paraqitur vetëm një kandidat, po ashtu, mesa shihet, edhe në fushën e kimisë. Ekonomistë nga Fakulteti i Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, më i madhi në vend,  nuk shoh asnjë të paraqitur si kandidaturë, sigurisht e them këtë pa pasur asgjë me kandidaturat e tjera të ardhura nga kjo fushë.  
Vetëm kaq individë të interesuar paska për të qenë anëtarë të Akademisë ?
Mjerë ne atëherë !
Kuptohet se fushata e informacionit publik nuk ka qenë në parametra të mjaftueshme.
Ndërkohë kam ngritur edhe shqetësimin që vendet të mos hapeshin sipas fushave klasike dhe të ndara, brendadisiplinore të shkencës, gjithmonë e më të tejkaluara, arkaike, por të jepnim sinjalin e vendeve të ndodhura e formuluara brenda hapësirave ndërdisiplinore dhe të hapura të dijes.
Por, problemi tani hëpërhë është te çështjet e formës.
Si mund të mos iu kërkohet kandidatëve për në Asamble të bëjnë nga një referat me shkrim lidhur me kuptimin koherent të veprës së tyre shkencore, për hipotezat, terrenet, problematikat, gjendjen në shkencën e sotme ndërkombëtare në fushat ku punojnë ? Si do ta masim atëherë cilësinë e punës së tyre?
Ky referat me shkrim i kërkohet sot edhe një doktoranti të thjeshtë dhe jo më një akademiku, i cili ka rastin të sintetizojë punimet e bëra, që pa këtë mbesin të shpërndara dhe pa lidhje midis tyre.
Si mund të mos iu kërkohet kandidatëve të vijnë për ta paraqitur gojarisht para Asamblesë rezultatin dhe kontributin e tyre shkencor?
Kanë një rast për t’iu përgjigjur pyetjeve që akademikët kanë nevojë të bëjnë për t’u sqaruar.
A nuk do të ishte ky një rast solemn dhe serioz për të nxitur debatin për kërkimin shkencor dhe shkencën shqiptare ? Këtu mund të ftohej edhe një publik shumë më i gjerë për të parë dhe mësuar sesi i shtrojnë dhe i trajtojnë çështjet e kërkimit shkencor akademikët. Do të ishte një shkollë metodologjike e pakrahasueshme me asgjë.
Si do të vlerësojë Akademia ata kandidatë që punojnë në ato fusha për të cilët ajo nuk ka specialistë në gjirin e saj ? Si do të vlerësojë ekonomistin, specialistin e shkencave të komunikimit, të punëve sociale, të sociologjisë së kulturës, juristin, etj., pa pasur specialistë në këto fusha?
Këtu ka vetëm një rrugë. Duheshin ftuar oponentë të jashtëm për të bërë reçenca të thella cilësore mbi bazë kriteresh rreptësisht shkencorë. Përndryshe kush nga akademikët do të ishte i qetë në shpirtin e tij dhe në koshiencën e vet shkencore, në moralin e tij qytetar se ka dhënë një votë të fshehtë në njohje të plotë të veprimtarisë shkencore të kandidatit ?
Askush !
 A mund të jetë një proces votimi në Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë si një proces votimi thjesht politik, ku qytetari në fshehtësi jep votën për deputetin e vet? Por edhe në komunikimin politik ne sot kemi shumë më tepër arritje se në komunikimin akademik. Të paktën në fushatat elektorale, kandidatët e partive politike e paraqesin veten e tyre publikisht, kurse ne si akademikë ia kemi kursyer vetes këtë mundim.
Gjynah !
Thonë se: « Kam të drejtë, por ja që duhet bërë një rregullore ».
Pikërisht !
Në fillim duhet bërë një rregullore e mirë pranimesh dhe pastaj duhen bërë pranimet. Kemi pasur pafund kohë për këtë. Thuhet se « nuk parashikon gjë ligja. » Pikërisht, kur ligja nuk ndalon, ajo lejon të bëhen rregullore si duhet. Përndryshe nga proces akademik përzgjedhjesh figurash shkencore mund të rrezikojmë të biem në trafiqe influencash që nuk kanë të bëjnë me shkencën.
A nuk do të ishte e drejtë që të gjithë ata që vijnë nga rrethet universitare, të kishin në dosjet e tyre edhe mendimin e kualifikuar të departamenteve, këshillave shkencore, këshillave të profesorëve, të senateve, etj., të fushave ku ata punojnë? Sigurisht, askush nuk mund ta kundërshtojë këtë. Përndryshe ne do të pranojmë kurrikulum vitae të kandidatëve, ku nuk ka asnjë dokument zyrtar që të provojë deklarimet e bëra nga ata vetë.
A është vërtet bashkëpunëtor në një institucion të huaj shkencor? A jep vërtet mësim në një universitet të huaj ? A është botuar vërtet kumtesa e tij në aktet e një konference shkencore? A është vërtet revistë shkencore ajo ku ka botuar artikujt e tij? Kush i ka certifikuar ata si artikuj shkencorë?
Dosjet janë pa këto elemente formale ndonëse nuk ka asnjë arsye për të mos i besuar kolegët e nderuar. Por dosjet janë dokumente zyrtare dhe duhet t’iu përgjigjen  kritereve formale.
Nuk e kanë fajin kandidatët.
Ata na janë përgjigjur mbi bazën e imazhit që kemi tek ata.
E ka përgjegjësinë administrata që i ka shpallur të pranueshme këto dosje në gjendjen si janë.
Prandaj bëj thirrje të mos nxitohemi si akademikë. Të shtyjmë këtë mbledhje të papërgatitur dhe të mos nxitohemi për të bërë zgjedhje, mbështetur thjesht te vota e fshehtë.
Shkenca nuk ka sekrete, as nuk mund të administrohet në ato forma që administrohet opinioni publik. Shkenca është një debat publik i hapur që ka rregullat e veta, gjuhën e vet, etikën e vet. Dallimin midis shkencës dhe opinionit Platoni e ka bërë dymijë pesëqind vite më parë.
Tjetër është « doxa » dhe tjetër « logosi ». 
Të nxjerrim një herë një rregullore të saktë. Të përpunojmë procedura korrekte, jo inkoherente dhe që mbështeten jo në kompetencat shkencore, por në moskompetencat shkencore, të heqim dorë nga trajtimi burokratik dhe administrativo-formalist i vlerësimit shkencor.
Komuniteti i shkencëtarëve dhe i intelektualëve do të na vrojtojë sesi do ta zgjidhim këtë problem. E do të marrë shembull.    Publiku do të na shohë sesi do të veprojmë. E do të na gjykojë.
Le të marrim pra vendime me transparencë para shoqërisë.
Mos harrojmë, është fjala për ata që do të marrin në dorë Akademinë në dhjetë apo njëzet vitet e ardhshme. Ata kanë të drejtë t’iu thonë kolegëve të tyre në atë kohë se janë zgjedhur me dinjitet, jo përzgjedhur fshehurazi, në mënyrë joshkencore.
Akademia nuk është prona jonë që mund ta përdorim si të duam, është vlerë publike.
Unë e thashë dhe e shpëtova shpirtin tim.
Nuk kam ndërmend të hyj në debate të kota që nuk kanë të bëjnë me thelbin e çështjes.
Jam gati përkundrazi të bashkëpunoj fort në mënyrë që të kemi procedura dinjitoze pranimi për akademikët e rinj.
Shpresoj ende deri në çastin e fundit para se ngjarja të ndodhë në parimet e arsyes që akademikët e nderuar i kanë të shenjta.
(Anëtar i Akademisë së Shkencave)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›