Rrëshen, kryepolici raporton krimin në Këshillin Bashkiak
MIRDITE/ HASAN PASHA
Kreu i policisë së Lezhës, Muharrem Furriku raportoi dje në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak të Rrëshenit, në lidhje me krimin në këtë rreth. Prania e shefave të policisë ka zbutur këshilltarët, të cilët i dhanë fund bojkotit të shpallur unanimisht në mbledhjen e kaluar, në shenjë proteste ndaj përkeqësimit në mënyrë drastike të rendit dhe sigurisë në këtë zonë. Vjedhjet e njëpasnjëshme në shtëpi e lokale, aksidentet, vrasja e fundit si edhe një sërë ngjarjesh të tjera kanë shqetësuar opinionin. Në këtë kuadër, të zgjedhurit e Rrëshenit në mbledhjen e datës 25 nëntor, nuk kanë pranuar të miratojnë asnjë projekt-vendim, pa u analizuar situata e rendit dhe e sigurisë në prani të drejtuesve të policisë. Dje, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak mbërriti drejtori i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Lezhë, Muharrem Furriku, i shoqëruar nga kreu i komisariatit të Mirditës, Dedin Gjeta. Teksa foli për situatën kriminale, një ndër problemet e evidentuara nga kreu i policisë ishte edhe numri i pakët i efektivëve. “Normat e KE-së detyrojnë 1 polic në 500 banorë, por nuk është marrë parasysh shtrirja e territorit. Kam kërkuar në strukturat përkatëse shtimin e efektivave, pasi gabimisht nuk e kanë llogaritur autostradën, në tunelin e së cilës vetëm kësaj vere kanë kaluar rreth 150 mijë makina. Do e mbroj me gjithë forcën këtë kërkesë, pasi unë jam këtu për të marrë përgjegjësitë e mia”, u shpreh kreu i policisë së Lezhës. Nikolin Kaçorri, në cilësinë e kreut të Këshillit Bashkiak sqaroi Furrikun se këshilltarët e të gjitha forcave politike kishin kërkuar një takim të tillë për të diskutuar dhe për të gjetur rrugë e mundësi për të përmirësuar situatën e rendit në këtë zonë. Furriku u kërkoi ndjesë këshilltarëve për faktin se për shkakun e tyre ishte shtyrë mbledhja e datës 25 tetor. Ai iu dha atyre një informacionin me shkrim, për gjendjen e dy muajve të fundit. “A është e udhës që me këtë efektiv që ka komisariati të mbahet rendi në Mirditë, dhe a është e mundur që të shtohen efektiva policore në kushtet kur krimi është trimëruar dukshëm”, u shpreh këshilltari Pashk Krepi. Ndërsa kolegu i tij, Gjon Marku vuri në dukje se situata në Rrëshen në 2009-ën, është më rëndë se në vitin 1997. Çdo natë thyhen lokale, vrasja ka tronditur qytetin, ndërkohë që të fluturojnë tulla mbi kokë teksa lëviz në orët e mbrëmjes. Këshilltarët kanë bërë përgjegjëse për këtë situatë Drejtorinë e Lezhës, e cila e ktheu komisariatin në një postë policie. Sipas tyre, në Policinë e Mirditës nuk ka mjete logjistike, ka mbetur ndonjë makinë e vjetërsuar, me të cilën nuk mund të punohet. “Kam shumë nevojë për sugjerimin dhe mendimin tuaj. Më vjen keq që është bllokuar miratimi i ndihmës ekonomike. Është e vërtetë se Mirdita është parë në një sens jo të mirë”, u shpreh Furriku duke kërkuar bashkëpunim për rendin në Mirditë.