E Diel, 1 Nëntor 2026

“Personat me aftësi të kufizuar do të paguhen para vitit të ri”

 

KORÇE - Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Spiro Ksera, pranoi gjatë një vizite në qytetin e Korçës mungesën e fondeve të përkrahjes sociale për kategoritë që trajtohen nga shteti me ndihma mujore. Sipas tij, ky problem do të gjejë zgjidhje të shpejtë me çeljen e fondit që pritet të jetë gati para festave të fundvitit. “Është e vërtetë që ka një vonesë në shpërndarjen e fondeve për personat me aftësi të kufizuara para dhe tetraplegjikët, por jemi drejt gjetjes së një zgjidhje të shpejtë. Mendojmë se para festave të fundvitit këto kategori do të kenë në duar pagesat mujore”, u shpreh Ksera. Reagimet dhe protestat që kanë nisur nga kategoritë shoqërore të personave me aftësi të kufizuara, para dhe tetraplegjikët për mungesën e fondit të ndihmës dhe për mosmarrjen në kohë të përkrahjes sociale, ministri Ksera i ka konsideruar më tepër si të nxitura politikisht. Sipas tij, protestat mund të kenë edhe prapavijë politike. Ministri Spiro Ksera pohoi dhe se këta persona do të përfitojnë edhe nga një rritje e fondit të pagës. Ai garantoi se për vitin e ardhshëm do të ketë një rritje me 24 për qind të pagesës së ndihmës për këta persona në nevojë. Më pas, ministri është njohur nga afër me kushtet e rehabilitimit në qendrat ditore të personave me aftësi të kufizuara.                          g.a

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›