E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, sekuestrohen 6 kg marijuanë, 2 në pranga

Policia e Gjirokastrës ka bërë të mundur sekuestrimin e 6 kg marijuanë dhe arrestimin e dy poseduesve të saj. Burime nga policia e Gjirokastrës bëjnë me dije se janë arrestuar shtetasit Andjol Ismaili, 26 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Lushnjë e Stavri Nallbani, 27 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë.
Sipas policisë arrestimi i tyre u bë pasi këta persona duke lëvizur nga Gjirokastra në drejtim të Fierit me automjetin tip BMV, me targa LU 0703 C, që drejtohej nga Andjol Ismaili , janë ndaluar nga ana e punonjësve të policisë në vendin e qaujtur Volsvagen në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë në dalje të qytetit Gjirokastër.
Punonjësi i Policisë Rrugore i ka kërkuar dokumentacionin drejtuesit të automjetit dhe i ka kërkuar drejtuesit të automjetit të hapte bagazhin, ndërsa Andjol Ismaili menjëherë është larguar me shpejtësi me automjet duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë në postobllokun e policisë.
Këta të fundit, janë vënë në ndjekje të tij, ndërsa drejtuesi i automjetit në ecje e sipër ka hedhur nga dritarja e automjetit në anë të rrugës në dalje të Viroit një qese të madhe plasmasi të fashuar me letër natriban dhe ka vazhduar lëvizjen me shpejtësi në drejtim të Subashit.
Duke parë që po i ndiqte policia, poshtë fshatit Mashkullorë këta shtetas kanë devijuar nga rruga kryesore duke futur makinën në një arë ku e kanë braktisur dhe të dy janë larguar me shpejtësi në drejtim të malit duke përfituar edhe nga errësira.
Menjëherë është bërë rrethimi i zonës dhe pas një orë ndjekje Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve duke përdorur edhe mjetet speciale të vëzhgimit kanë bërë të mundur kapjen e dy të lartpërmendurve.
Nga këqyrja e qeses së plasmasit rezultoi se në brendësi të saj kishte lëndë narkotike marijuanë në formën e boçes, gjithsej 6 kilogramë.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta persona e kishin blerë lëndën narkotike në Lazarat dhe do ta shisnin në ambjentet shkollore në rrethin e Lushnjës.
Ndërkohë materialet në ngarkim të dy të arrestuarve i kanë kalaur Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndve narkotike”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›