E Diel, 1 Nëntor 2026

Ka mbërritur me të vërtetë shekulli i Shqipërisë europiane!

Nga Gjon KEKA*
Bashkimi Europian si start i një sistemi të përbashkët të  vlerave të kombeve dhe të popujve ka arritur ti bashkojë kohërat e vjetra me ato të reja, por gjithnjë duke shembur hendeqet dhe muret e nacionalizmave të vjetër. Sukseset e kësaj bashkësie në lidhje me procesin e zgjerimit të saj përbëjnë një ndër arritjet më të mëdha që nga koha  e pasluftës së Dytë Botërore dhe Luftës së Ftohtë dhe me gjithë mend mund  të konsiderohet si një proces i arritjes së madhe në  historinë e saj. Ky sistem vlerash jo më pak se një dekadë arriti të konsolidojë reformat e thella demokratike dhe ekonomike në tërë Europën qendrore dhe atë lindore, kjo para së gjithash tregon edhe një progres të arritjeve të mëdha duke hapur kështu  perspektivën e përbashkët të kombeve drejtë  integrimit në Unionin Europian. Proceset që mbart në krah ky sistem i përbashkët vlerash  janë të padiskutueshme tepër lëvizëse duke bërë një shndërrim të thellë  të shoqërive të vjetra apo të dalura nga kolonializmi në një shoqëri të ndryshimeve të mëdha rrënjësore. Tani në shekullin XXI  ka mbërritur mendim se edhe gadishulli ballkanik pas ngjarjeve që ndodhën mund ti hapen dyert në integrimin e këtij rajoni në këtë bashkësi vlerash të përbashkëta, por kjo mund të realizohet vetëm duke parë  se në këtë rajon është duke u krijuar  një perspektivë bindëse politike, pastaj të progreseve të tjera të plotësimit të atyre standardeve të domosdoshme dhe obliguese nga të gjitha fushat e jetës së një shteti që dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Për të kapur këtë hap shtetet e rajonit të Ballkanit e në këtë rast Shqipëria duhet të analizojë të gjitha sferat e jetës dhe funksionalizmit të institucioneve në të gjitha nivelet dhe duke parë se gjërat kanë ndryshuar atëherë duhet hedhur hapin drejtë procesit të integrimit në Unionin Europian. Duhet cekur se të gjitha kombet dhe popujt  që sot janë anëtare kanë kaluara nëpër disa faza të rëndësishme por edhe të mundimshme të proceseve të ndërtimit të rrugës drejtë familjes së përbashkët europiane. Të gjithë e dinë se Ballkani  ka nevojë të ngutshme  që të kapërcej pragun e mospajtimeve të brendshme, por edhe të kapërcejë dobësinë e ecjeve në drejtim të progresit dhe të plotësimit të kritereve bazë të bashkësisë ndërkombëtare respektivisht unionit europian për tu bërë pjesë e ecjeve të përbashkëta të zhvillimeve bashkëkohore. Sot të gjithë janë të bindur se komuniteti ndërkombëtar është duke u përballur me një përgjegjësi të re historike ndaj çështjes së zhvillimit, të demokratizmit, pastaj të paqëtimit të Ballkanit si dhe të proceseve integruese të këtij rajoni, ky angazhim i ri i ndërkombëtarëve tregon edhe një herë që Ballkani në asnjë mënyrë nuk mund të kthejë kokën mbrapa. Nga kjo mund të thuhet se tani  në rajonin e Ballkanit është duke u përdorur një strategji e re për arritjen e objektivave të tij strategjike, politike, ekonomike, kulturore, etj., etj., kjo po bëhet nga aktorët ndërkombëtarë në bashkëpunim me qeveritë e shteteve të qëndrueshme dhe të dobëta të rajonit për ti nxitur ata që të bëjnë ndryshime të thella e rrënjësore brenda sistemeve shtetërore ashtu që rruga drejtë integrimit të jetë sa më e shkurtër dhe synimet të bëhen një realitet historik. Kjo nxitje nga ana e bashkësisë ndërkombëtare si në rastin e  Shqipërisë që është bërë gati të aplikojë për në Bashkimin Europian ashtu edhe për vendet tjera të rajonit mund të konsiderohet një sukses i mjaftueshëm si dhe një tregues i qartë i angazhimeve të përbashkëta. Gjithashtu bashkësia europiane përballet edhe me disa probleme në lidhje me shtete që përmbajnë elemente të joqëndrueshmërisë, jo-funksionalitetit të brendshëm, jolegjitimitetit, jodemokratimzimit, jozhvillimit, jorespektimit të të drejtave të njeriut etj. Kështu që nëse Shqipëria aplikon në këtë vit për procesin e integrimit në strukturat e bashkimit europian ajo duhet të shohë se a ka kryer ndryshimet e mëdha, a e ka arritur suksesin që i nevojitet për ta bërë këtë akt që mund të konsiderohet sa historik dhe një rikthim në familjen e lashtë e të braktisur nga shekujt e hershëm, a ka arritur që Shqipëria të ndryshojë të menduarit të politikës, të bëjë ndryshime në të gjitha sferat tjera, a ka mbërritur me të vërtet shekulli i Shqipërisë europiane apo duhet punuar ende për të hedhur këtë hap drejtë procesit të integrimit!?
Janë kushtet e kryera që sot Shqipëria ta bëjë këta hap dhe a ka arritur vërtetë shteti shqiptar që ta kuptojë edhe një gjë se për të iu përshtatur kushteve të procesit të integrimit në Bashkimin Europian ajo duhet ta heqë qafe sistemin e modeleve të vjetra dhe klasike duke shndërruar atë në  një shtet modern me demokraci të qëndrueshme pastaj me sovranitet të përbashkët duke shkrirë atë në sistemin e vlerave të bashkimit europian. Sepse besoj se  e ka të ditur shteti shqiptar se  hedhja e hapit drejtë procesit të integrimit do të thotë një hap i madh i Shqipërisë në shekullin XXI, një hap i pakthyeshëm dhe shumë i rëndësishëm. Aplikimi i shtetit shqiptar ska dyshim se është i një rëndësie historike dhe do zhbllokonte shumë procese tjera  ashtu që shtete tjera të rajonit do mund shumë lehët ta përqafojnë  rrugën e integrimeve europiane se sa ndonjë herë më parë ngase ata mund të jen të rrethuara nga ky proces i pashmangshëm dhe historik për tërë rajonin në përgjithësi. Dhe krejt në fund duke gjykuar se shteti Shqiptar të ketë mbaruar kushtet e nevojshme dhe duke gjykuar se për tu integruar në sistemin e vlerave të përbashkëta europiane duhet të hiqen të gjitha anomalitë e brendshme të sistemit shtetëror të Shqipërisë, duhet hequr velloja dhe abstraksionet e panevojshme duhet ndërruar të gjitha nivelet e sistemit keqndërtues, sepse në të kundërtën nuk do mund të ketë një bashkësi me sistemin e përgjithshëm të Bashkimit Europian.

*Autori është politolog dhe njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›